Gazeta Si – Horner mban të karikuar pilotin australian dhe kalon presionin te Perez. Haas ndërkohë konfirmon Pietro Fitipaldi si kolaudator dhe pilot rezervë.
Drejtuesi i Red Bull-it, Kristian Horner, ka lënë të hapur mundësinë që Daniel Riçardo të kthehet në timonin e një makine të skuderisë austriake. Ai ka specifikuar se për momentin nuk ka në plan t’i japë australianit një makinë zyrtare, por thjesht do që ta mbajë atë ‘në nxemje’ për të shtuar pak presionin te Perez.

Riçardo, ish-pjesëtar i Red Bull Junior Team, e la këtë skuderi për Renonë (tani Alpine) në fund të sezonit 2018, pas 5 sezonesh me skuadrën ku fitoi 7 gara. Pas dy vitesh me skuderinë franceze, ai kaloi te MekLaren në 2021-shin.
Pas dy sezonesh në vështirësi, MekLaren vendosi ta zëvendësojë Riçardon me bashkëkombësin Oskar Piastri për 2023-shin, duke i dhënë atij mundësinë të kthehet te Red Bull-i, ku do të mbajë rolin e pilotit të tretë.
Haas ka konfirmuar Pietro Fitipaldi si kolaudator dhe pilot rezervë për sezonin 2023. Nipi 26-vjeçar i dy herë kampionit të F.1, Emerson Fitipaldi, do të qëndrojë me skuadrën amerikane për sezonin e 5-të radhazi. Fitipaldi ka testuar makinat F1 VF-18 dhe VF-19 dhe ka debutuar në Çmimin e Madh në raundet e fundit të sezonit 2020, kur zëvendësoi të dëmtuarin Romain Grosjean.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




