Emocione dhe dopietë e MekLarenit në Çmimin e Madh të Italisë. Daniel Riçardo fiton garën, pas tij Norris dhe Botas. Në xhiron e 26-të dy rivalët për titullin kampion, Ljuis Hemilton dhe Maks Vershtapen, janë përplasur dhe janë nën investigim.
Pas incidentit, Vershtapen dhe Hemilton janë tërhequr nga gara dhe me siguri polemikat do të jenë të mëdha. Ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrin drejtuesit e garës, e sigurt është se ata që kishin parashikuar të tjera fërkime mes dy rivalëve pas asaj që ndodhi në Silverston, kishin të drejtë. Luhet titulli kampion dhe askush nuk do të tolerojë asnjë milimetër, do të ketë edhe incidente, sepse Formula 1 është edhe kështu.
Not bad, @ValtteriBottas 😉#ItalianGP 🇮🇹 #F1 pic.twitter.com/6JSPxXtQPt
— Formula 1 (@F1) September 12, 2021
Ishte një nisje e bukur e Riçardos, që doli para Vershtapenit, kurse Hemilton kaloi Norrisin dhe nisi sulmin ndaj Red Bull-it. Anglezi tentoi gjithçka në anën e jashtme të Vershtapenit, i cili ia doli të ruante pozicionin. Më pas Norris përfitoi për të marrë vendin e tretë, Hemilton në radio u ankua se ishte nxjerrë jashtë, por gjithçka ishte e rregullt dhe drejtuesit e garës nuk panë asnjë shkelje.
Xhovinaci i zuri rrugën Sainzit, që nuk mundi ta evitonte impaktin dhe Alfa Romeo e italianit u rrotullua, duke dëmtuar pjesën e parme, ndërsa Ferrari vazhdoi. Drejtuesit e garës e penalizuan Xhovinacin me 5 sekonda, pasi ai nuk mund të hynte në atë trajektore. Në xhiron e 20-të, Riçardo kishte kontrollin e garës ndaj Vershtapen, kurse Norris u mbrojt mirë ndaj Hemiltonit.
Another hugely dramatic moment in the Verstappen/Hamilton title battle 💥😮#ItalianGP 🇮🇹 #F1 pic.twitter.com/P4J4bN6wX2
— Formula 1 (@F1) September 12, 2021
Momenti vendimtar i garës ishte ai i xhiros së 26-të. Kampioni i botës, kur u rikthye në pistë e pa veten në një linjë me Vershtapen. Holandezi tentoi parakalimin nga ana e jashtme, por makina e tij përfundoi sipër Mercedesit të Hemiltonit. Tërheqje e bujshme nga gara për të dy dhe polemikat e ndezura janë të parashikueshme lehtë.
“Safety Car” në pistë dhe në xhiron e 31-të rinisja me Riçardon në komandë dhe Norris në sulm ndaj Ferrarit të Leklerk. Dy makinat Ferrari nuk mundën të ndalnin as Red Bull-in e Perez dhe as Mercedesin e Botas. Sipas drejtuesve të garës, Perez preu rrugën në duelin me Sainz dhe u penalizua me 5 sekonda, duke dalë nga podi. Në fund, në finish mbërritën të parat dy makinat MekLaren. Kanë marrë pikë edhe Stroll, Fernando Alonso, Rasell dhe Okon.
Klasifikimi i pilotëve:
- Vershtapen 226,5 pikë
- Hemilton 221,5
- Botas 141
- Norris 132
- Perez 118
- Leklerk 104
- Sainz 97,5
- Riçardo 83
- Gasli 66
- Alonso 50
- Okon 45
- Fetel 35
- Stroll 24
- Tsunoda 18
- Rasell 15
- Latifi 7
- Raikonen 2
- Xhovinaci 1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




