Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar kalendarin e udhëtimeve që do të kryhen këtë javë, në kuadër të nisjes së procesit të riatdhesimit për shtetasit shqiptarë jashtë vendit dhe që duan të kthehen në Shqipëri.
Në datat 18 dhe 19 prill do të jenë udhëtimet e para. Sipas njoftimit të MIE, në datën 18 do të kryhet udhëtimi Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa në datën 19, sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë.
Shtetasit të cilët dëshirojnë të kthehen, ashtu sikundër është bërë e ditur gjatë këtyre ditëve, duhet që më parë të bëjnë rezervimin e hotelit, të vendosura në dispozicion, ku do të karantinohen për 14 ditë pas mbërritjes në Shqipëri, së bashku me pagesën, dhe më pas të bëjnë rezervimin e biletës. E gjithë kjo procedurë mund të bëhet përmes aksesimit të faqes së kompanisë Air Albania, ku duhet të ndjekin procedurat e parashikuara.
Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurit, Parisi dhe Londra, ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se varësi të kërkesave të qytetarëve do të vlerësohet edhe nëse do të ketë apo jo udhëtime nga destiancione të tjera.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka sqaruar paraditen e sotme qytetarët që presin të riatdhesohen këtë fundjavë, rreth prenotimit të biletës së tyre në AirAlbania.
“Pas pak sistemi online, i cili do t’u japë mundësinë të rezervoni riatdhesimin tuaj, do të jetë i gatshëm për t’u aksesuar. Vizitoni faqen Airalbania.com.al dhe më pas rubrikën Riatdhesime. Klikoni në linkun e hoteleve, të cilat janë transformuar në struktura karantinuese Covid 19. Lexoni me kujdes formularin e kushteve të karantinimit dhe vetëm pasi të shtypni butonin PRANOJ, do të mund të zgjidhmi dhomën tuaj të qëndrimit 14 ditor. Do të ndalem këtu për t’ju qartësuar çështjen e pagesës, për të cilën ka pasur shumë komente ditët e fundit. Kosto ditore e qëndrimit tuaj në karantinë është vlerësuar 21 euro personi në ditë, nga të cilat 14 euro, janë akomodim dhe fjetje qe do të mbulohen nga Qeveria Shqiptare, ndërsa kosto ushqimore ditore prej 7 euro, do të mbulohet nga vetë personi. Pasi të kryeni pagesën elektronike prej 98 eurosh, sistemi do të prodhojë vërtetimin e rezervimit tuaj, në të cilin do të gjeni kodin unik, që do t’ju shërbejë për rezervimin e biletës”, u shpreh Ballaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




