Gazeta Si – Një pjesë e madhe e vatrave të zjarrit që u aktivizuan gjatë të hënës në territorin e vendit, janë neutralizuar nga forcat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe emergjencave civile.
Është izoluar rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme vatra në shpatin e malit, në kthesën e Balldrenit, në Lezhë, duke shmangur tërësisht rrezikun për banesat dhe bizneset në zonë.
Aktualisht po vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Lgjin në Orosh të bashkisë Mirditë, ku flakët po zhvillohen me intensitet të ulët.
Gjithashtu është shmangur rreziku për banesat në fshatin Qesarat në bashkinë e Finiqit, ku puna po vijon për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit.
Në fshatin Patin, njësia administrative Klos, ku dje ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll dushku është bërë e mundur të shuhet një pjesë e vatrës dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Në terren kanë shkuar edhe 20 forca nga shërbimi zjarrfikës dhe shërbimi pyjor për të mundësuar izolimin e plotë gjatë ditës së sotme.
Pa rrezik për zonat e banuara është edhe situata në zonën e quajtur “Makaresh”, në zonën e Krastës në Krujë, si dhe në fshatin Bizë në Ishëm të Durrësit, ku po punohet pa ndërprerje për të shuar vatrat e zjarrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




