Irena Beqiraj

Riaktivizimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar edhe basti që do të lumturohesha po ta humbisja!


Rishpikja e ekonomisë së shekullit të 21-të gjatë një epoke sfidash të reja si ndryshimi i klimës, rivaliteti gjeopolitik dhe brishtësia në zinxhirit e furnizimit, ka vetëm një emër: "produktivitet.”

Ekonomistët kanë argumentuar prej kohësh se produktiviteti është themeli i prosperitetit. E vetmja mënyrë se si një vend mund të rrisë standardin e  jetesës në mënyrë të qëndrueshme është të prodhojë më shumë mallra dhe shërbime me më pak burime.

Që nga Revolucioni Industrial, kjo është arritur përmes inovacionit, prandaj në imagjinatën publike produktiviteti është bërë sinonim me përparimin teknologjik, kërkimin dhe zhvillimin. E pra, modeli  i ri ekonomik që imponon Shekulli 21 quhet "produktivizëm", megjithëse duhet thënë që brendia e tij ka më shumë rëndësi se emri i tij.

Produktivizmi  është modeli që tenton të krijojë mundësi ekonomike produktive në të gjitha rajonet e një ekonomie duke ofruar punë më të mira për të gjithë fuqinë punëtore.

Ai ndryshon nga modeli neoliberal sepse kërkon që qeveria të luajë një rol më të gjerë në ekonomi. Ai gjithashtu ndryshon nga modeli Kejnsianist  i "Shtetit të Mirëqenies" pasi relativizon rëndësinë e transfertave buxhetore dhe politikave makroekonomike në prosperitetin ekonomik.

Në thelbin e tij qëndron një marrëdhënie komplementare e re ndërmjet qeverisë dhe biznesit privat, me qëllimin e vetëm rritjen e produktivitetit të ekonomisë në tërësi edhe krijimin e vendeve të mira punës.

Thënë shkurt, Qeveria dhe bizneset vendosin të zgjidhin bashkarisht problemet duke u përpjekur të heqin barrierat  që pengojnë mundësitë e rritjes së produktivetit.

E pra, propozimet edhe "risitë " e paraqitura në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar ku për herë të parë u artikulua  "partneriteti biznes qeveri në hartimin e politikave që synojnë rritjen e produktivitetit" gjallëroi brenda meje besimin  se qeveria e ka kuptuar nevojën për këtë model të ri zhvillimi, edhe po ashtu për t’i dhënë Këshillit Ekonomik Kombëtar fund KEK, formën e një "think tank"  ku pjesëmarresit nuk lobojnë për interesa të përveçme por bashkëveprojnë në të mirë të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik. Edhe me këtë shpresë fillova të ëndërroj :

1. Se politikëbërësit e kishin kuptuar që politikat që nxisin produktivitetin janë të vështira për t'u hartuar vetëm nga qeveria dhe akoma më të vështira për t’u zbatuar me sukses. Më në fund është kuptuar nevoja e madhe për funksionimin e organizmave publike, qoftë edhe (think tank ) që jo vetëm ndihmojnë qeverinë të identifikojë politikat e duhura, por gjithashtu mund të dalin edhe kundër presionit të njëanshëm politik. Gjithashtu është kuptuar rëndësia e tyre si qendra të shpërndarjes së informacionit i cili do të  ndihmonte biznesin për të përballuar sfidat e të ardhmes.

2. Se është kuptuar që pa politika të mirëinformuara, të bazuara në studime e të dhëna, të cilat kanë nevojë për transparencë, kapacitete solide kërkimore, edhe heqjen dorë nga qasja e trajtimit të ekonomisë si monolite por si tërësi e ekonomive të veçanta rajonale, nuk mund të targetosh siç duhet ndërhyrjet e nevojshme.

3. Edhe vazhdoja të ëndërroja që politikëbërësit socialistë kanë kuptuar, që duke ofruar vetëm incentiva fiskale, subvencione apo ndërhyrje të pjesshme,  e humbën një dekadë edhe nuk arritën të ndihmojmë industri të ndryshme si ajo  fason të transformohet në prodhues i mirëfilltë me produktivitet të lartë.  

4. 2024 kishte ardhur me këmbë të mbarë. Qeveria ka arritur të kuptojë që sot biznesi ka nevojë për njohuri edhe që është detyra e saj të mundësojë rritjen e kapaciteteve të ekonomisë edhe bizneseve  për të krijuar edhe shpërndarë njohuri, pra për të fituar aftësi inovative.

Por ëndrrat e bukura zgjatin pak. Mjaftoi deklarata e KM i cili dje tha "që shtëpia e biznesit është një derë avokatie ku çdo sipërmarrës mund të trokasë për çdo problem që ka, edhe se kjo strukturë e re, synon zhdukjen përgjithmonë të fenomenit të ryshfetit, por edhe adresimin e sfidave të mëdha, siç është përshtatja e biznesit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian",  për të kuptuar se qasja që Kryeministri përcjell është shumë  larg produktivizmit edhe ekzaktësisht ajo që ka qenë gjithmonë "zgjidhja ad hoc e problemeve kur ato trokasin."

A do të ndryshojë kjo qasje me rigjallërimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar edhe strukturave të reja të ngritura nën të?

Kam vënë një bast me anëtarë  të asaj tavoline, bast të cilin do të lumturohesha po ta humbisja!


Copyright © Gazeta “Si”