Kryeministri Edi Rama akuzoi Partinë Demokratike, pjesën e Berishës dhe të Bashës se po përdor viktimat e krimeve serbe në Bosnje e Kosovë për të hequr vëmendjen nga përplasjet e brendshme që kanë.
“Është sa e thjeshtë, aq edhe e neveritshme se përse e bëni këtë ju. Për të njëjtat arsye që u kujtuat për gjenocidin në Srebrenicë, kujtoheni edhe për gjenocidin në Kosovë dhe po të shikosh të gjithë historinë e deklaratave dhe të rezolutava shikon edhe ndryshimin si nata me ditën mes jush dhe nesh, mes asaj që quhej PD dhe tani s’e di si quhet dhe ne që quhemi PS. Sa herë ka pasur një krizë që u është dashur ta kapërceni keni futur në mes viktimat e Kosovës. Sa herë ju është dashur të nxirrni nga agjenda probleme të caktuara”, deklaroi Rama në seancën plenare të kësaj të enjteje.
Kryeministri reagoi nga foltorja pas përplasjes që pati kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla. Alibeaj kërkoi nga Nikolla që të fuste në rend ditë rezolutën që dënon gjenocidin serb në Kosovë.
Në fjalën e tij, Rama nënkuptoi se rezoluta të tilla mund të mos priten mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vitet e fundit janë investuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ai (Kosova) shtet i lirë sovran, demokratik është krijuar nga ata pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap. Nëse ju bashkë me ata në Prishtinë doni të bëni hapa të tillë, bëjëni, por përsa kohë qeverisim ne këtë vend, ne nuk i bëjmë. Përpara se të kuturisemi ne për të ndërmarrë një hap të tillë në 2022 për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores duhet dakordësia e aleatëve tanë se nuk mund të bëhemi ne si foltorja dhe gojorja në sy të botës”, u shpreh Rama.
Kreu i Qeverisë nuk përmendi emra, por iu drejtua Lulzim Bashës, që ndodhej në sallë dhe Enkelejd Alibeajt se rezolutën e kanë propozuar si pjesë të përplasjes me Sali Berishën.
“S’keni çfarë t’i bëni gomarit mbrapa këtu dhe doni t’i bini samarit dhe për samar doni të përdorni Kosovën”, tha Rama.
Në vend të rezolutës së propozuar nga Enkelejd Alibeaj, në Kuvend u lexua rezoluta socialiste kundër raportit të Dick Marty-t, për të cilin Rama akuzoi edhe PD.
“Zanafilla e raportit të Dick Marty-t është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Europës, përkundër votës se Shpëtim Idrizit dhe Damian Gjiknurit. Dick Marty-t ja keni hapur rrugën ju. Çfarë mendoni ju për Hashim Thaçin, është mirë aty ku është në burg? Këto shikoni ju, sepse thikat që i keni ngulur Kosovës, duke masakruar UÇK si terroristë, marksist-leniniste e si dreqin me të birin, duke ngritur thikën dhe ngulur mu në gjoks presidentit të kosovës, i përkasin historisë dhe ju as nuk i shlyeni dot, as i mbuloni dot. Ju patriotët e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës. Kështu keni qenë gjithmonë dhe kështu do të mbeteni sepse bishti i shtrembër nuk drejtohet”, u shpreh Rama.
Pas Ramës, fjalën e mori ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai tha se opozita e mbështet rezolutën socialiste kundër raportit të Dick Marty-t, por akuzoi Ramën se po amniston krimet serbe në Kosovë me refuzimin e rezolutës së propozuar nga Alibeaj.
“Dënimi i gjenocidit serb në Kosovë, nuk ka për qëllim për të mbetur pengje të së shkuarës së dhimbshme, por për t’i hapur rrugën të ardhmes, që nuk mund të jetë e paqtë, as e begatë për rajonin pa u shëruar plagët e një lufte që shqiptarët nuk kanë nisur, por kanë pësuar. Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë, sado të fshihet pas sokëllimave, gjuhës së shthurur dhe banaliteti dhe gënjeshtrave, është një amnisti e fshehtë ndaj një të shkuare që rrezikon të përsëritet nëse nuk pranohet dhe dënohet si e gabuar. Na takon ne të jemi sot zëri i viktimave të atij gjenocidi, të jemi edhe zëri i Kosovës. Në këtë mënyrë ne i japim edhe më shumë zë në arenën ndërkombëtare të vërtetës së hidhur të gjenocidit dhe spastrimit etnik të kryer në Kosovë”, u shpreh Basha.
Ish-kreu i PD-së, u shpreh se ndër vite ka patur përpjekje të vazhdueshme për të manipuluar faktet, për t’i ikur të vërtetave siç ka ndodhur edhe në raportin e Dick Martit, që e cilësoi një raport “fake”, pas të cilit fshihen strukturat serbe.
“Nuk është aspak rastësi që pasi krijuan një tollovi të madhe ne opinionin ndërkombëtar, në përpjekje për të ndryshuar historinë, hapi më i fundit, siç e ka pohuar vetë protagonist, ishte planifikimi për eleminimin fizik të ish-raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty nga struktura serbe të sigurisë për të fshehur gjurmët, e për të fajësuar sërish shqiptarët”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




