Nga Gazeta ‘Si’- Partia Popullore Europiane (PPE) ka miratuar me unanimitet një Rezolutë me titull “Integriteti Zgjedhor në Shqipëri”, ku ngrihet alarmi për rrezikun që i kanoset demokracisë shqiptare në prag të 11 majit.
Dokumenti, i propozuar nga Partia Demokratike, përshkruan një klimë të rëndë abuzimi me pushtetin, manipulimi elektoral dhe shtypjeje të opozitës.
Sipas rezolutës, janë dokumentuar raste të blerjes së votës me para dhe përmes kultivimit të kanabisit, punësime klienteliste, si dhe presione ndaj punonjësve publikë për të mbështetur partinë në pushtet. Këto veprime, thuhet në rezolutë, minojnë neutralitetin e shtetit dhe barazinë në garën politike.
Vendimi për të kufizuar aksesin në platformën TikTok në prag të zgjedhjeve është përkufizuar si kërcënim për lirinë e shprehjes dhe të informacionit.
Rezoluta përmend se mbi 100 ankesa zyrtare janë paraqitur nga Partia Demokratike në KQZ, ndërsa krimet zgjedhore, sipas PPE-së, “mbeten të pandëshkuara, duke krijuar një kulturë pandëshkueshmërie”.
Në këtë kontekst, PPE i bën thirrje Bashkimit Europian, OSBE-së dhe Këshillit të Europës të:
• “Ndërpresin çdo formë të pretenduar të keqpërdorimit të pushtetit shtetëror, blerjes së votës dhe frikësimit të votuesve”;
• “Dërgojnë më shumë vëzhgues afatgjatë në bashkitë me rrezik të lartë”;
• “Dokumentojnë publikisht dhe denoncojnë abuzimet zgjedhore në raportet përfundimtare”;
• “Zbatojnë mekanizmat e kushtëzimit në procesin e anëtarësimit në BE nëse shkeljet vazhdojnë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




