Politike

Rezoluta antiruse, ish-ministri Bushati me draft të ri “rrëzon” tekstin e Ballës

Pas debatit për rezolutën antiruse mes kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati paraqiti zyrtarisht amendamentet për përmirësimin e tekstit. Në fakt propozimi i ish-kryediplomatit sjell një ripunim në thelb të tekstit, duke iu hequr fjalët si "dezinformime që vijnë nga Rusia". Në tekstin e paraqitur nga Balla përmendet të paktën katër frika nga ndërhyrja ruse. Në amendamentet e propozuara që Gazeta Si i ka siguruar, ish-ministri kërkon që të ndryshohet që në titull, nga “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare” në “ Për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja të mundshme në proceset zgjedhore dhe dezinformimin si mjet i ushtrimit të influencës në jetën shoqërore”.
Këto amendime bazohen në tre shtylla kryesore si; Legjislacioni dhe institucionet vendase; angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë; media dhe edukimi. Sipas tij, titulli aktual i projektrezolutës së propozuar nga deputeti Balla, “është marrë nga Rezoluta e Parlamentit Europian, miratuar në 10 tetor 2019, e cila reflekton një realitet tjetër në nivel supra-kombëtar, siç është forma e organizimit të BE-së, bazuar mbi parimin e subsidiaritetit. Për më tepër, Rezoluta e miratuar në Parlamentin Europian është shumatore e një sërë aktesh e dokumentesh të miratuara nga institucionet e BE”.

Draftrezoluta e paraqitur nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Gazeta Si, 7 nëntor 2019


Bushati propozon ndryshime të thella në preambul të projektrezolutës, në referimin e kushteve që gjeneruan këto amendamente si dhe rekomandimet që lë Kuvendi ndaj institucioneve. Propozimet e tij synojnë të reflektojnë realitetin në një pjesë të vendeve anëtare të NATO-s, të cilat janë përballur me fenomene të këtilla. Gjithashtu, ky ndryshim vjen në përputhje me doktrinën e sigurisë kombëtare ku përfshihet dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare; Strategjinë e Mbrojtjes Kibernetike; Dokumentin e Politikave për Sigurinë Kibernetike për vitet 2015-2017; Agjendën Digitale të Shqipërisë 2014-2020.
Ndërhyrja e tretë e Ditmir Bushatit ka të bëjë me cështje të dezinformimit apo ndërhyrje në proceset zgjedhore. Propozimet e tij ndahen në dy drejtime, rregullimi i kuadrit ligjor për mediat elektronike dhe qasja edukative. Amendimi “inkurajon institucionet përgjegjëse që të angazhohen në një strategji edukative në bashkëpunim me shoqërinë civile për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e fenomeneve që kanë të bëjnë me dezinformimin, lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes, dhe nga ana tjetër propozon dhe disa nisma që kanë të bëjnë me mediat”.
Ndërsa për sa i takon medias, veçanërisht asaj elektronike, ai propozon “ndërtimin e urave të bashkëpunimit me platformat e rrjeteve sociale në mënyrë që të sigurohet informacioni i plotë rreth reklamave politike, financimit të tyre dhe ruajtjes e mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve”.

Faksimile e amendamenteve të paraqitur nga ish-ministri Bushati. Gazeta Si, 7 nëntor 2019

Ish-kryediplomati gjithashtu kërkon që “Institucionet përgjegjëse të marrin masat për hartimin e kuadrit ligjor për adresimin e çështjeve të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e mediave elektronike duke respektuar parimet kushtetuese mbi lirinë dhe të drejtën e shprehjes, në përputhje me standardet e BE-së, rekomandimet e OSBE-së, të bazuara mbi parimin e vet-rregullimit, proporcionalitetit dhe nevojën për unifikimin e masave për mediat elektronike dhe ato audiovizuale, duke përcaktuar qartë subjektet që preken nga ligji dhe strukturën që do të kontrollojë zbatimin e ligjit”. Në propozimet e tij hiqet bazimi te Konventa Ndërkombëtare e të të Drejtave të Njeriut, që njihet Kart e Kopehangës, si dhe hiqet dhe fakti që Balla në tekstin e tij thekson se “pritet qe zgjedhjet e përgjithshme të zhvillohen në Shqipëri në 2021”.

Gjithashut në këtë draft, ish-ministri propozon që “i kërkohet SHISH, Agjencisë Kibernetike të Sigurisë, AKEP, Autoritetit të Medias Audiovizive, Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektorinik dhe Sigurinë Kibernetike, Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompiuterike që të paraqesin një raport vjet mbi sfidat dhe kërcënimet e evidentuara objekt i kësaj rezolute”. Të gjitha këto institucione, përveç AMA-s, në varësi të Kryeministrisë. Amendamentet pritet të propozohen në komisionin parlamentar të Sigurisë, që është struktura përgjegjëse.

Komisioni i Sigurisë pranon amendamentet e Bushatit

Komisioni parlamentar i Sigurisë ndërkohë zhvilloi sot mbledhjen ku shqyrtoi nismën e paraqitur nga kreu i grupit të mazhorancës, Taulant Balla për rezolutën antiruse. Në fjalën e tij Balla tha se drafti i propozuar nuk është një draft i mbyllur, por është një iniciativë e hapur për t’u pasuruar me të gjitha komentet dhe me të gjitha propozimet nga të gjithë deputetët e të gjitha grupimeve politike dhe grupeve parlamentare.

Shefi i grupit të mazhorancës parlamentare, Taulant Balla. Gazeta Si, 7 nëntor 2019

“Drafti i propozuar prej meje nuk është i mbyllur, është një iniciativë e hapur për t’u pasuruar me të gjitha komentet dhe me të gjitha propozimet nga të gjithë deputetët e të gjitha grupimeve politike dhe grupeve parlamentare. Biem dakord të gjithë që orientimi i Shqipërisë është ai proeuropian, pro NATO dhe ndërmarrja e iniciativave të tilla nuk bie ndesh me strategjitë tona kombëtare të sigurisë dhe politikës së jashtme, por është një rikonfirmim i qasjes 100% në të njëjtën linjë të politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të BE-së. Për shkak të kësaj qasje komisionerja për Politikën e Jashtme e BE, Mogherini ka shprehur gjithmonë që Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që e ka këtë njehsim të politikës së jashtme 100% me atë të BE”, tha Balla. Ndërkaq në mbledhje u bë e ditur amendamentet e ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, duke deklaruar se këto propozime e tij do të pranohen nga komisioni. Socialistët kanë vendosur një zgjidhje tjetër, duke preferuar që tekstin dhe amendamentet t’i bëjnë bashkë. Javën e ardhshme pritet që të hartohet një rezolutë e plotë dhe të votohet më pas në një seancën parlamentare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë