Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar së fundmi një vendim që detyron të gjitha subjektet turistike të deklarojnë kapacitetet e tyre dhe nivelin e shfrytëzimit, me qëllime tatimore.
Niveli i shfrytëzimit të kapaciteteve në strukturat akomoduese llogaritet duke marrë në konsideratë numrin e përgjithshëm të dhomave të shfrytëzuara përgjatë periudhës së shfrytëzimit në raport me kapacitetin e plotë të strukturës akomoduese gjatë kësaj periudhe.
Sipas vendimit, periudha e shfrytëzimit ndahet në dy periudha sezonale, përkatësisht, nga data 1 maj deri në datën 30 shtator dhe nga data 1 tetor deri në datën 30 prill të çdo viti. Në përllogaritjet, për efekt të kapacitetit të shfrytëzimit, ditët që merren në konsideratë janë ditët kalendarike gjatë kësaj periudhe.
Vendimi përcakton se minimalja e shfrytëzimit të strukturave është 65% gjatë sezonit të verës, maj-shtator dhe jo më pak se 30% gjatë periudhës tetor-prill.
Konkretisht, subjektet që preken nga ky vendim janë të llojit bujtina, bllok apartamentesh, motel, fjetje dhe mëngjes, hotel, hotel i shpërndarë, resort dhe strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore.
Para disa kohësh, kryeministri Edi Rama tregoi se ka një normë të lartë evazioni nga strukturat turistike, të cilët deklarojnë më pak rezervime për të shmangur tatimet.
“Si për shitjen e apartamenteve, si për dhomat nëpër hotele nuk shohim asnjë rrugë tjetër, përveçse t’ju themi se bazuar tek tregu, që ‘jo, ne nuk e pranojmë që t’ju marrim juve tvsh 6 përqind për këtë shifër që na jepni ju, por do ju marrim shifrën 6 përqind për shifrën që na thotë tregu’ dhe ju do na e jepni, se nuk e marrim ta çojmë në shpi, por për të vazhduar të investojmë dhe për të përmirësuar shumë hallka që turizmi ka nevojë t’i përmirësojë shteti”, deklaroi kryeministri Rama, përballë pronarëve të hoteleve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.