Para

Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë arriti nivelin më të lartë historik në tetor

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rezerva valutore arriti vlerën e 4.2 miliardë eurove duke u rritur me 2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shqipëria shiti Eurobondin e parë me maturim 10-vjeçar në Bursën e Londrës, për një shumë totale prej afërsisht 650 milionë eurosh.

Për 10-mujorin e parë të këtij viti, vlera mesatare mujore e importeve ishte rreth 520 milionë euro.

Vlera e rezervës valutore në fund të muajit tetor do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar rreth tetë muaj importe apo dy herë më shumë se objektivi bazë.

Zmadhimi i rezervës valutore bëhet kryesisht nëpërmjet ankandeve të blerjes së valutës në tregun vendas. Në Bankën e Shqipërisë, gjatë këtij viti parashikohen blerje në tregun valutor të një shume mes 60 dhe 120 milionë eurove, mbështetur në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare.

Blerjet e deritanishme gjatë këtij viti kanë arritur pranë vlerës së 90 milionë eurove.

Në pjesën më të madhe, rezerva valutore mbahet në obligacione dhe në depozita, ndërsa një pakicë konsiston në rezerva ari dhe të drejta tërheqjeje (SDR) në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Vitin e kaluar, BSH-ja përfshiu edhe monedhën kineze dhe atë australiane në valutat në të cilat mbahet rezerva valutore.

Sipas saj, në fund të vitit 2020 Euro përbënte 64.9% të rezervës valutore, e ndjekur nga Dollari Amerikan me 19% dhe SDR me 5.8%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë