Futboll

Revolucioni i drejtorëve sportivë, edhe Igli Tare pritet të lëvizë në verë

Gazeta Si – Seria A duket në prag të një revolucioni sa u takon drejtorëve sportivë. Përveç merkatos së futbollistëve, në verë pritet të ketë lëvizje të rëndësishme edhe mes këtyre drejtuesve në disa klube.

Emrat më të lakuar për momentin mbeten Xhovani Sartori i Atalantës, Federiko Xhuntoli i Napolit dhe Igli Tare i Lacios. Për Taren në fakt nuk është hera e parë që diskutohet ndarja me Lacion, pasi për drejtuesin shqiptar më parë ka pasur oferta nga klube të tjera të mëdha, si Milani dhe Interi. Sipas “Gazzetta dello Sport”, Tare duhet të qartësojë raportin me trajnerin Mauricio Sarri dhe për momentin emri i tij mbetet në ‘merkato’.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Gazeta Si, 29 mars 2022

Interesimi i fundit për ish-kapitenin e Kombëtares vjen nga Gjermania, ku Tare ka luajtur më parë. Eintrahti i Frankfurit e sheh Taren si njeriun e duhur për t’i besuar të ardhmen e skuadrës.

Për Sartorin e Atalantës, një nga drejtorët sportivë më të suksesshëm, ka një interesim nga Juventusi dhe Bolonja, ndërsa Xhuntoli duket se do të largohet nga Napoli, edhe pse ka ende kontratë me këtë klub.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë