Gazeta Si – Sfida Inter-Barcelona u mbyll me fitoren e italianëve 1-0, por la pas shumë polemika në lidhje me gjykimin. Ishin të shumta episodet e diskutueshme, të vendosura nga VAR-i.
Të dyja skuadrave iu anulua nga një gol, Barcelonës për prekje topi me dorë dhe Interit për pozicion jashtë loje. Por ishte një episod tjetër, që tërboi katalanasit, pasi nuk u mor në konsideratë nga VAR-i. Një prekje e topit me dorë nga Dumfris, që do të thotë një penallti e mohuar.

Për këtë arsye, klubi spanjoll ka vendosur të bëjë një reklamim në UEFA për arbitrimin. Trajneri Ksavi Hernandez e quajti padrejtësi atë që bënë arbitrat e ndeshjes me Interin.
“Jam shumë i nervozuar, sepse na është bërë një padrejtësi. Nuk e kuptoj, sepse arbitri nuk na ka dhënë asnjë shpjegim për rastin e prekjes së topit me dorë nga Dumfris. Arbitri duhet të vinte të na jepte shpjegime, që të kuptonim logjikën e tij, por nuk tha asnjë fjalë. Tani jemi në një situatë të komplikuar prej këtyre gabimeve”, – tha Ksavi pas ndeshjes.

Imazhet në fakt tregojnë një prekje të qartë të topit me dorë nga mbrojtësi holandez. Ka një hipotezë që VAR-i mund të mos i ketë pasur këto pamje, prandaj nuk ka ndërhyrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




