Ne rrjet

Revista ‘Chicago Sun-Times’ publikon një listë leximesh verore me libra… që nuk ekzistojnë

Nga Gazeta “SI”– Në edicionin e saj të së dielës, gazeta publikoi një listë me 15 tituj të rekomanduar për verën, me autorë të njohur dhe përshkrime joshëse. Por 10 nga këta libra rezultuan të ishin krijime tërësisht imagjinare, të prodhuara nga inteligjenca artificiale.

Lista përfshinte tituj si “Tidewater Dreams” të Isabel Allende, përshkruar si “saga shumëbreznore ku realizmi magjik përzihet me aktivizmin mjedisor”. Por Allende nuk ka shkruar kurrë një libër me këtë titull  ashtu si Rebecca Makkai nuk ka shkruar “Boiling Point”, që supozohej të ishte një pasardhës i romanit të saj të njohur “The Great Believers”.

Në mesin e titujve të rremë përfshiheshin edhe “The Last Algorithm” nga Andy Weir, “Nightshade Market” nga Min Jin Lee, dhe “Salt and Honey” nga Delia Owens. Të gjithë autorë të vërtetë – por libra që nuk ekzistojnë.

Autori Min Jin Lee reagoi në rrjetin X duke shkruar se nuk kishte shkruar dhe nuk do të shkruante një roman të quajtur “Nightshade Market”.

Vetëm pesë nga librat në listë ishin të vërtetë, si “Bonjour Tristesse” i Françoise Sagan dhe “Atonement” i Ian McEwan  por edhe ata janë të botuar dekada më parë, jo tituj të rinj verorë.

E përditshmja amerikane kërkoi falje publikisht duke sqaruar se lista ishte përgatitur nga një partner kombëtar përmes një gazetari freelance, i cili kishte përdorur një program AI.

“Ky duhet të jetë një moment mësimi për gjithë gazetarinë,” shkroi CEO-ja e Chicago Public Media, Melissa Bell. “Vlera e punës sonë qëndron te marrëdhënia reale mes lexuesit dhe gazetarëve tanë të vërtetë.”

Redaksia e “Sun-Times” premtoi rishikimin e politikave editoriale, ndërsa u njoftua se lexuesit nuk do të tarifohen për versionin premium ku u botua lista. Nga ana tjetër, sindikata e gazetarëve publikoi një reagim të fortë: “Jemi thellësisht të shqetësuar që përmbajtje e krijuar nga AI është botuar krah punës sonë të ndershme.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë