Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka kaluar në gjyq dosjen ndaj 7 personave të pandehur të dosjes “Revanshi”.
Bëhet fjalë për emra të njohur të botës së krimit si Durim Bami, Aldo Avdyli, Marklen Haka, Jozi Kraja, Altin Morina, Enerigert Mitri dhe Edson Jozwik.
Prokuroria e Posaçme i akuzon për krime midis tyre dhe sigurim kushtesh për tentativa vrasjeje e kultivim droge.
Të shtatë janë të arrestuar dhe dosja ndaj tyre është veçuar nga 20 persona të tjerë të përfshirë, por që janë në kërkim.
Durim Bami, një prej personazheve më të përfolur të botës së krimit, akuzohet për “sigurim kushtesh për vrasje” ndaj Arben Ndokës, Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit. “I forti i Niklës” u ekstradua nga Dubai në Shqipëri në shkurt të këtij viti.
Nga ana tjetër, Marklen Haka akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “sigurim kushte për vrasje” ndaj Durim Bamit dhe po ashtu “sigurim kushtesh për vrasje” ndaj Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet për dosjen “Revanshi” më 31 janar të këtij viti. Hetimet zbuluan 12 ngjarje kriminale që ndodhën, që u përgatitën apo që dështuan gjatë vitit 2020.
Ata goditën shtatë grupe kriminale që vepronin në disa qytete si Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli. Në total, u lëshuan 50 urdhër arreste dhe pothuajse gjysma e tyre u ekzekutuan brenda dhe jashtë vendit ndërsa disa të tjerë ishin të arrestuar për akuza të tjera.
Komunikimet e Sky të ndërthurura nga hetuesit me detajet e dosjeve të arkivuara pa autorë, treguan se si për arsye hakmarrje dhe përplasje mes grupeve kriminale, kishin çuar personazhe të botës së krimit në organizimin e atentateve dhe vrasjeve në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje