Rusia mund të pranojë që asetet e ngrira në Europë, rreth 300 mld dollarë të përdoren për rindërtimin e Ukrainës, por me kushtin që një pjesë e parave të shkojë në vendet që Moska tashmë kontrollon, raporton Reuters.
Rusia dhe SHBA-ja patën diskutimin e parë më 18 shkurt dhe të dy presidentët, Trump e Putin u shprehën se presin të takohen sërish.
Pasi Putin dërgoi trupat në Ukrainë në vitin 2022, SHBA dhe aleatët e saj vendosën sanksione për rusët dhe bllokuan rreth 350 mld dollarë asete sovrane, shumica tituj qeveria europiane, amerikane apo britanike.
Ndërsa diskutimet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë në një fazë shumë të hershme, një ide që po përhapet në Moskë është se Rusia mund të propozojë përdorimin e një pjese të madhe të rezervave të ngrira për rindërtimin e Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje, sipas tre burimeve me njohuri për këtë çështje.
Një pjesë e Ukrainës lindore është shkatërruar nga lufta dhe qindra mijëra ushtarë janë vrarë ose plagosur nga të dyja anët, ndërsa miliona ukrainas kanë ikur në vendet europiane ose Rusi. Një vit më parë, Banka Botërore vlerësoi se rindërtimi dhe rimëkëmbja do të kushtonte 486 miliardë dollarë.
Burimet folën për Reuters në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së diskutimeve dhe për shkak se diskutimet janë vetëm paraprake. Kremlini nuk pranoi të komentojë.
Ideja se Rusia mund të pranojë të përdorë paratë e ngrira për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës nuk është raportuar më parë dhe mund të japë një pasqyrë të asaj që Rusia është e gatshme të bëjë kompromis, ndërsa Moska dhe Uashingtoni kërkojnë t’i japin fund luftës, në një kohë kur Trump po bën presion për aksesin e SHBA në mineralet e Ukrainës për të shlyer mbështetjen e Uashingtonit
Kërkesat kryesore të Rusisë për të ndaluar luftimet përfshijnë një tërheqje të trupave të Kievit nga territori ukrainas që pretendon Moska dhe një fund të ambicieve të Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n. Ukraina thotë se Rusia duhet të tërhiqet nga territori i saj dhe kërkon garanci sigurie nga Perëndimi. Administrata Trump thotë se Ukraina ka synime joreale dhe “iluzionare”.
Reuters nuk mundi të përcaktojë nëse ideja e përdorimit të fondeve të ngrira është diskutuar mes homologëve të Rusisë dhe SHBA-së në takimin saudit.
G7 deklaroi në vitin 2023 se fondet sovrane ruse do të mbeten të ngrira derisa Rusia të paguajë për dëmin që shkaktoi në Ukrainë. Trump ka thënë se do të dëshironte që Rusia të kthehej në G7, një grupim i kombeve të pasura.
Guvernatorja e Bankës Qendrore Ruse, Elvira Nabiullina tha të enjten se banka nuk ishte pjesë e asnjë bisede për heqjen e sanksioneve ose shkrirjen e rezervave të Rusisë./Reuters
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




