Shendet

Retinopatia diabetike në Shqipëri e Kosovë/ 1 në 5 persona të verbuar në shtëpi, mungojnë specialistët dhe infrastruktura

Gazeta Si- Shqipëria dhe Kosova paraqesin trend të njëjtë të sëmundjes së retinopatisë diabetike (humbja e shikimit nga diabeti).

Një studim i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik në tetor të vitit 2022, për problemet e uljes së shikimit si pasojë e retinopatisë diabetike, tregoi se “më shume se një e treta e pacientëve me retinopati të intervistuar në Shqipëri dhe Kosovë kanë shqetësime lidhur me shikimin dhe rreth e një e katërta e tyre kanë vështirësi të mëdha deri në pamundësi për kryerjen e disa aktiviteteve të jetës së përditshme.

“Rreth një në pesë pacientë të Shqipërisë dhe rreth një në dhjetë pacientë të Kosovës rrinë shumicën e kohës në shtëpi prej shikimit. Pothuajse po aq kanë nevojë për ndihmë të vazhdueshme për arsye të problemeve me shikimin”, thuhet në studim.

Sipas gjetjeve të studimit, pengesë kryesore mbetet mungesa e mjekëve okulistë dhe infrastruktura e pamjaftueshme. Në disa raste pengesë mund të jetë edhe koha e gjatë e pritjes dhe burokracitë e sistemit. Problemet më të shpeshta të pacientëve lidhen me injeksionet intravitreale.

“Marrja e injeksionit çdo muaj vetëm në Tiranë është një problem kryesor. Gjithashtu mbulimi nga shteti vetëm për një vit ndërkohë që trajtimi për pjesën më të madhe është i nevojshëm për një kohë më të gjatë. Ndonjëherë terapia ose mjekët mund të mungojnë. Lista e gjatë e pritjes mund të kufizoje gjithashtu aksesin”, thuhet në studim.

Por në Shqipëri, rreth gjysma e rasteve me retinopati diabetike e kryejnë kontrollin mbi shikimin në qendrën spitalore universitare në Tiranë. Pjesa tjetër vizitohen në qendrën shëndetësore ose në poliklinikë.

Kurse në Kosovë,  vetëm 4% janë kontrolluar nga mjeku i familjes për këtë qellim.

Studimi tregoi se pacientët nga Shqipëria në shumicë dërrmuese (88%) i përdorin rrallë ose asnjëherë shërbimet private, ndërkohë që shumica dërrmuese (70%) e pacientëve të intervistuar në Kosovë preferojnë të përdorin shpesh ose gjithmonë shërbimet e klinikave private.

Në Shqipëri, një pacient me retinopati diabetike trajtohet në mënyrë standarde me injeksionet intravitreale dhe shërbimi ofrohet vetëm në QSUT, për të gjithë pacientët. Injeksionet e përmuajshme rimbursohen nga FSDKSH vetëm për një vit.

Kurse në Kosovë, trajtimi i retinopatisë diabetike (si me injektim intravitreal ashtu edhe me operim vitroektomi apo lazer-foto koagulim) tek rastet e referuara për trajtim është falas, por mungesa e mjekeve dhe listat e gjata të pritjes shpesh bëjnë që pacientët ti drejtohen shërbimeve private.

”Pacientët nga Shqipëria në shumicën derrmuese (88%) i përdorin rrallë ose asnjëherë shërbimet private. Ndërkohë që shumica dërrmuese (70%) e pacientëve të intervistuar në Kosovë preferojnë të përdorin shpesh ose gjithmonë shërbimet e klinikave private. Arsyet kryesore të përdorimit të shërbimeve private janë shmangia e burokracisë dhe e udhëtimit për në klinikat universitare në kryeqytet. Në Kosovë duket se pothuaj në gjysmën e rasteve arsyeja kryesore është oferta e klinikave private të ndërhyrjeve kirurgjikale me vitroektomi”, thuhet në studimin e ISHP.

Mungesa e aksesit dhe lehtësirave në sistemin publik, ka rritur kostot financiare në familjet që kanë të sëmurë me retinopati diabetike. Në Shqipëri, kostot e okulistit, injeksionet dhe ndërhyrjet kirurgjikale ofrohen plotësisht nga shteti, kurse në Kosovë përballohen nga vetë pacientët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë