Trashëgimi

Restaurimi i Kullës Veneciane në Durrës, në fazat përfundimtare

Nga Gazeta Si - Kulla Venecianë në Durrës shpejt do të hapet nga vizitorët. Ministrja e Kulturës Elva Margariti inspektoi punimet në këtë objekt dhe shprehet se restaurimi është në fazat përfundimtare.

"Kulla Veneciane, në zemër të Durrësit shumë shpejt do të hapet për vizitorët. Restaurimi i objektit është në fazat përfundimtare dhe do të nisë procesi i plotësimi i tij me pajisjet që do t’i shtojnë kësaj qendre edhe aspektin multimedial, që do të shërbejnë për informimin dhe orientimin e vizitorëve në gjithë qytetin e Durrësit”, shkruan ministrja Elva Margariti në rrjetet sociale.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë inspektimit

Kulla Veneciane është një nga objektet, si pjesë e programit “EU4Culture”.

Kulla ka potencial të pashfrytëzuar si qendër turistike dhe e informacionit interaktiv historik, rivitalizimi i së cilës, përmes programit “EU4 Culture”, do t’i nxisë vizitorët të eksplorojnë më tej sitet e shumta unike të trashëgimisë në të gjithë Durrësin, një nga vendbanimet më të lashta të Ballkanit.

Kulla Veneciane është pjesë e kalasë Bizantine të Durrësit, e cila në mesjetë konsiderohet si një nga fortesat më të fuqishme të bregut perëndimor të Adriatikut.

Në gjysmën e parë të shekullit XV kur Durrësi ishte nën pushtimin e Venedikut, kulla u rindërtua dhe mori pamjen e sotme. Kulla ka formë rrethore me diametër të jashtëm 9 m dhe lartësi 9.6 m. Ngrihet mbi një bazament në formën e një trungu koni, i cili në pjesën e sipërme kufizohet nga kornizë gurësh.

Bazamenti është i shtruar me pllaka guri. Salla e vetme e kullës ndriçohet nga 5 frëngji të mëdha që shërbenin për vendosjen e topave dhe mbulohet me një kupolë sferike të ndërtuar me tulla.

Me një buxhet total prej 40 milionë euro, “EU4Culture” shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë