Politike

Resorti në Dhërmi, Shehaj: Po mbledhim firmat t’i heqim mandatin Olta Xhaçkës, është në konflikt interesi

Ditën që PS rrëzoi kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për investimet strategjike kerkuar nga një grup deputetësh mbështetës të Enkelejd Alibeajt, deputeti i Partisë Demokratike, (thënë ndryshe i “Rithemelimit”), Agron Shehaj publikoi para mediave dosjen e plotë të asaj që ai e cilësoi si dosja “Xhaçka” që e ka zanafillën tek një vendim i Këshillit të Ministrave për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Dhërmi për një periudhë 30-vjeçare për resortin “Dreamades Luxury Suites”, investimi i së cilës, sipas dokumenteve të publikuara nga PD-ja do të realizohet nga shoqëria “AG.TCC” sh.p.k që administrohet nga biznesmeni Artan Gaci, bashkëshort i ministres Olta Xhaçka.

Por më vonë në një tjetër vendim të ndryshuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike, kompania e Gaçit lidh një marrëveshje me shoqërinë AGTCC Hotel Management për operimin e strukturave turistike në projektin e kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë

Shehaj tha përmes një konference për shtyp se sipas të dhënave të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania ‘AGTCC Hotel Management’ është në pronësi të Tawni Lin Grzych-Sutton, një 32-vjeçare e lindur në Masaçusets të Shteteve të Bashkuara dhe banore e rezidencës “Kodra e Diellit” në Tiranë. (Kompania tjetër thuajse me emër të ngjashëm, AG.TCC Sh.p.k që do të realizojë investimin është në pronësi 100% te ish deputetit socialist dhe bashkëshortit të ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka)

Ndërkohë, Suttonm që i është dhënë leja e përdorimit, sipas Shehajt, është partnerja prej shumë vitesh e Andi Xhaçkës – vëllai i ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe në dokumentet e administrimit të dy ata kanë deklaruar të njëjtën adresë banimi.

Për deputetin e PD-së ky është konflikt interesi dhe nepotizëm, pasi në bazë të Kushtetutës deputetëve u ndalohet të përfitojnë nga pasuritë e shtetit.

Duke folur në një konferencë për mediat ai tha se faktet provojnë që ajo ka shfrytëzuar mandatin për të përfituar tokë shtetërore në përdorim në jug të vendit për të ngritur një resort buzë detit.

“Jemi duke mbledhur firmat për të bërë kërkesën për heqjen e mandatit të ministres Xhaçka. Pronat janë të gjitha këto që kemi shfaqur. Nuk kemi të bëjmë me një “shpjegim” të sajuar, apo deklarata politike, por kemi të bëjmë me fakte dhe dokumente. Në fund fare është ministrja ajo që ka përfituar pronën në përdorim”, tha Shehaj.

Deputeti i PD-së nxori si ekstrakt katër pika.  

“Bashkëshorti i Xhaçkës Investitor Strategjik. Me firmën e Kryeministrit Rama, kompania “AG.TÇ”  SH.P.K në pronësi të bashkëshortit të ministres Xhaçka, shpallet investitor strategjik për ndërtimin e resortit në  Dhërmi, i cili parashikon marrjen e tokës në bregdet në përdorim për 30 vite.

25/06/2021- Krijohet kompania e kunatës së Xhaçkë

Për të shmangur formalisht shkeljen e ligjit, krijohet kompania “AGTÇ HOTEL MANAGEMENT”, në pronësi të kunatës së ministres Xhaçka, shtetases amerikane znj. Sutton, e cila prej vitesh jeton në Tiranë dhe bashkëjeton me vëllain e ministres Xhaçka.

15/07/2021 Kunata e Xhaçkës Investitore Strategjike

Kryeministri Rama ndryshon vendimin e datës 22/02/2021 dhe shton kompaninë e kunatës si investitore strategjike.

02/03/2022- Kunata e Xhaçkës merr pronën publike në përdorim

Qeveria Rama i jep familjes Xhaçka tokën në  bregdet në perdorim në shkelje të nenit 70 të Kushtetutës që ndalon çdo përfitim për deputetët nga pasuria e shtetit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë