Ngjarje

Reshjet e shiut bllokojnë shtëpi dhe rrugë, në Fier pritet evakuimi i banorëve të disa fshatrave

Moti i keq ka mbërthyer të gjithë vendin, me reshjet e shiut që kanë bllokuar shtëpi dhe rrugë, duke shkaktuar jo pak dëme.

Në Qarkun Lezhë ende nuk është normalizuar situata në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë Mamurras në njësinë administrative Mamurras.

Rruga në fshatin Shpërdhet mbetet e dëmtuar nga ujërat e lumit Droje.

Gjithashtu është bllokuar kalueshmëria në segmentin rrugor Skuraj–Gallatë, njësia administrative Milot, por edhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet me intensitet.

Në Shkodër është zhbllokuar segmenti rrugor Theth–Ndërlysaj në njësinë administrative Shalë.

Mbetet i bllokuar edhe segmenti Ndërlysaj–Breg-Lumi.

Ndërsa në Gjirokastër aktualisht ka prani të shtuar ujërash në segmentin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.

Reshjet e dendura kanë krijuar disa vështirësi në disa zona të Qarkut Vlorë. Në fshatin Nivicë është përmbytur banesa e një personi. Lumi Bistricë ka dalë nga shtrati dhe niveli i ujit ka arritur rreth 50 cm, duke e bërë rrugën Virion–Muzinë, pranë fshatit Mesopotam të pakalueshme.

Ndërkohë reshjet intensive në Fier kanë vështirësuar dukshëm qarkullimin, ndërkohë që Vjosa vijon të ketë prurje në rritje.

Sipas kryetarit të bashkisë Fier Armando Subashi pritet që të bëhet evakuimi i banorëve në disa zona.

“Prurjet në Vjosë po rriten ndjeshëm. Është momenti që banorët përgjatë Vjosës në Levan, Ferras dhe pjesa bregdetare të nisin evakuimin e gjësë së gjallë fillimisht e më pas të largohen nga banesat. Kemi disa orë kohë për ta bërë evakuimin. Prurjet pritet të shtohen në Vjosë megjithatë nuk parashikojmë dot ende se çfarë përmasash do kenë. Niveli i Vjosës në Memaliaj ka shkuar në 6.2 metra. Pika kritike që mund të çojë në dalje të shtratit është 7 metra”, tha Subashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë