Ka ndodhur

Reshjet e borës, ushtria nis hapjen e rrugëve të bllokuara

Në një kohë që vendi ynë është përfshirë nga moti i acartë, Ministria e Mbrojtjes njofton se ushtria është angazhuar në hapjen e rrugëve të pakalueshme.

Ministria thotë se Forcat e Armatosura janë të angazhuara për hapjen e rrugës së fshatit Trebinjë në Pogradec dhe zonës së Thethit në Shkodër.

Ndërkohë, me kërkesë të pushtetit lokal, FA po transportojnë 800 pako ushqimore nga Rezervat Materiale të Shtetit për banorët e fshatrave të bllokuar në bashkitë e Vaut të Dejës, Mirditë, Lezhë dhe Kurbin.

Gjithashtu, trupat dhe mjetet lundruese dhe të kalueshmërisë së lartë të batalionit të I të këmbësorisë dhe atij të mbështetjes rajonale po ndihmojnë lëvizjen e banorëve të njësive administrative Ana e Malit dhe Dajç në bashkinë e Shkodrës.

Ndër të tjera, Ministria thotë se ushtria mbetet në gatishmëri në të gjithë territorin e vendit për të ndërhyrë në rast nevoje.

Ditët e fundit në të gjithë vendin ka mbizotëruar mot i acartë, ku i gjithë vendi u mbulua nga dëbora.

Të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme, por në zonat malore rekomandohet përdorimi i gomave dimërore. Në akset rurale të zonave malore është e nevojshëm përdorimi i zinxhirëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë