Nga Gazeta ‘Si’- Reshjet e dëborës që kanë përfshirë disa zona në vend ditën e sotme, kanë krijuar edhe problematika në qarkullimin e mjeteve.
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion mbi situatën e krijuar nga rënia e papritur e temperaturave që ka sjellë reshje bore në disa qarqe të vendit kryesisht në lindje dhe verilindje.
Disa akse kanë shfaqur probleme në qarkullim ndër to në rrugën e Arbrit, në Lezhë, në rrugën e Kombit dhe në aksin Elbasan – Qafë Thanë.


Në “Rrugën e Kombit” si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës gjatë ditës së sotme, po punohet me 27 borëpastruese dhe hedhëse kripe njëkohësisht, ku 8 borëpastruese po punojnë në pjesën e aksit që shtrihet në territorin e Qarkut Lezhë, ( bashkia Mirditë), kurse pjesa tjetër e mjeteve, 19 mjete, po punojnë në pjesën e këtij aksi në territorin e Qarkut Kukës. Aksi është i kalueshëm.
Në aksin Peshkopi-Maqellarë dhjetëra mjete janë bllokuar në dy pika një tek ura e Melanit, dhe një bllokim tjetër tek malorja e Dovolanit.
Situatë e njëjtë është edhe në aksin Peshkopi-Kukës ku trashësia varion deri në 30 cm në Kalanë e Dodës, por nuk raportohen bllokime.
Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.