Sociale

Reshjet e borës, disa zona pa energji në qarkun e Korçës dhe Kukësit. Në Dibër, akset të kalueshme

Gazeta Si – Reshjet e shumta të dëborës në juglindje dhe verilindje të  Shqipërisë, kanë krijuar një situatë të vështirë, duke shkaktuar bllokime të rrugëve dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona.

Sipas informacioneve, problematika ka pasur në qarkun e Korçës dhe të Kukësit. Trashësia e dëborës në qarkun e Korçës, ka arritur deri në 30 cm në lartësitë mbi 800 metra, duke krijuar probleme serioze për qarkullimin e mjeteve.

Një nga zonat më të prekura ka qenë Korça, ku në aksin rrugor Boboshticë – Dardhë trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm, veçanërisht në majën e Bigllës.

Autoritetet rrugore kanë reaguar menjëherë për të mbajtur akset të hapura, duke dërguar më shumë se 15 mjete borëpastruese, të cilat kanë punuar gjatë natës për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve Korçë – Dardhë, Korçë – Voskopojë, Kamenicë – Ersekë dhe Zëmblak – Dogana e Goricës së Madhe.

Sakaq, aksi nga Maja e Qafë Qarrit deri në hyrje të Ersekës është bllokuar nga bora, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për qarkullimin.

Për këtë arsye, autoritetet rrugore kanë kërkuar që drejtuesit e mjeteve të përdorin rrugën e vjetër, e cila është e kalueshme pa probleme.

Reshjet e dëborës kanë shkaktuar dëme edhe në rrjetin elektrik, duke ndërprerë furnizimin me energji në disa fshatra të njësive administrative Vithkuq dhe Lekas në bashkinë e Korçës, si dhe në Leskovik, në bashkinë e Kolonjës.

Pas këtyre dëmeve, grupet e OSHEE-së janë angazhuar në terren për të riparuar rrjetin dhe për të rikthyer energjinë elektrike në zonat e prekura.

Kukës

Reshjet e dëborës kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në qarkun e Kukësit. I gjithë qarku është përfshitë nga bora, që në Shishtavec ka arritur trashësinë 50 centimetër.

Për pasojë, akset rrugore rrezikohen nga rënia e gurëve, inerteve dhe ngricave. Ndërkohë, në disa njësi administrative ka probleme me energjinë elektrike: Njësia Administrative Tropojë, Fshatrat Zogaj, Kepeneg, Kam Njësia Administrative Bytyq, Bashkia Tropojë. Njësia Administrative Golaj, Bashkia Has. Njësia Administrative Bushtricë, Grykë-Çajë, fshatrat Gdheshtë e Pistë, Njësia Administrative Malzi, Bashkia Kukës.

Dibër

Ndërkohë, prej mesnatës janë ndërprerë reshjet e borës në Dibër. Temperaturat në vlera pozitive 4 gradë Celsius, u kanë dhënë mundësi kompanive kontraktore të punojnë për hapjen e rrugëve dhe kriposjen e tyre.

Reshjet më të shumta kanë qenë në territorin e Bashkisë Dibër, ku trashësia në qytetin e Peshkopisë arriti në 15 cm ndërsa në zonat malore si Kalaja e Dodës, Sllova, Selishta dhe Lura trashësia kalon mbi 30 cm.

Situata rrugore është përmirësuar ndjeshëm dhe kalimi bëhet pa probleme pa zinxhirë.

Aksi Peshkopi – Bulqizë – Tiranë nuk ka borë në trupin e rrugës, duhet kujdes në Baypasin e Murrizit. Aksi Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës kalimi normal pa zinxhirë. Aksi Ura e Çerenecit – Steblevë – Librazhd i kalueshëm, me zinxhirë pjesërisht.

Po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave të thella, dhe qendrave të njësive Administrative. Nga EC nuk ka njoftime për situata të vështira, apo thirrje për ndihmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë