Sociale

Foto/ Shi dhe stuhi në bregdet, pushuesit u largohen plazheve

Gazeta Si - Zonat bregdetare të vendit janë përfshirë mesditën e të kësaj të premteje nga reshje shiu dhe stuhi të forta.

Të gjitha plazhet e qyteteve bregdetare janë boshatisur nga pushuesit dhe turistët, të cilët si rrjedhojë e kushteve atmosferike janë larguar me shpejtësi.

Reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë filluar prej orës 11:00 të paradites kanë larguar pushuesit vendas dhe të huaj nga plazhi i Vlorës.

Pronarët e plazheve kanë zgjedhur që çadrat dhe shezlongët t'i mbyllin dhe t'i sigurojnë nga era e fortë e cila vijon prej disa orësh në bregdet.

Largimi i pushuesve dhe turistëve ka shkaktuar trafik në rrugët e qytetit të Vlorës sidomos në segmentet dalëse të qytetit.

Trafiku dhe qarkullimi i rënduar i automjeteve fillon që në shëtitoren Lungomare dhe vazhdon më pas në rrugën Transballkanike dhe në pjesën lidhëse të kësaj të fundit me autostradën Levan-Vlorë.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur dhe në Durrës dhe Sarandë, ku plazhet duken të shkretuara, aspak e zakontë kjo për një ditë normale korriku.

Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë edhe qytetin e Fierit. Shiu i dendur ka bërë që pushuesit të largohen nga plazhi i Darëzezës.

Reshjet e shiut dhe era në Lezhë ka bërë që pushuesit të boshatisin plazhin e Shëngjinit.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike i ka larguar pushuesit nga bregdeti, por pjesa më e madhe kanë preferuar të mos largohen, duke qëndruar në hotelet ku janë akomoduar.

Stuhia e erës ka pushtuar plazhin e Divjakës gjatë paradites së sotme. Rëra ka mbuluar hapësirën e gjerë duke bërë të pamundur qëndrimin e turistëve në plazh. Pushuesit janë larguar menjëherë nga plazhi, pasi stuhia ka ngritur çadrat dhe shezlkongët.

Reshjet e dendura të shiut në Elbasan kanë filluar të shkaktojnë problemet e para në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

Rënia e gurëve nga shpati i malit ka vështirësuar qarkullimin tek vendi i quajtur “Kthesat e Murrashit”.

Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes në këtë segment dhe të mos lëvizin me shpejtësi.

Këtë të premte, temperaturat janë ulur ndjeshëm në të gjithë vendin me 20 gradë celcius, pas një të nxehti ekstrem që zgjati më shumë se një javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë