Reshjet e borës që kanë përfshirë vendin tonë, që prej ditës së djeshme, janë intensifikuar gjatë natës.
Situatë më problematike paraqitet veçanërisht në qarqet e Kukësit, Dibrës, por edhe Korçës, duke shkaktuar probleme në qarkullim dhe akset kombëtare.
Qarku Shkodër
Në Bashkinë Shkodër, aksi rrugor, Bogë-Qafë Thore-Breg Lumi i bllokuar, ka rreth 3 m dëborë në vendin e quajtur Qafa Thores. ARRSH thotë po punohet për hapjen e këtij aksi rrugor.
Ndërkohë, në Prekal-Mali Shoshit-Breg Lumi, aksi është i kalueshëm për mjete të larta dhe me zinxhirë, ndonëse ka rënë rreth 40 cm dëborë dhe reshjet e dëborës.
Në aksin rrugor Fushë Arrës-Qaf Mali ka rreth 70 cm dëborë, borëpastruesja po punon pa ndërprerje, i kalueshëm me zinxhirë për automjetet e larta.
Në përgjithësi ne territorin e Qarkut Shkodër në zonat malore aktualisht ka reshje dëbore ndërsa në zonat e ulëta ka reshje shiu.
Të gjitha akset nacionale janë të qarkullueshme pa zinxhirë, përveç Q.Mali-Fierzë, e cila është e kalueshme me zinxhirë, pasi sasia e borës që ka rënë gjatë natës ka qenë rreth 1.3 metra.
Qarku Kukës
I gjithë territori i qarkut të Kukësit, është përfshirë ditën e sotme nga reshjet e borës.
Mësohet se lartësia e borës në zonat malore, arrin deri në 60 cm, ndërsa në qytet, 15 cm.
Deri më tani, rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht, ndërsa kontraktorët kanë punuar gjatë natës për të pastruar rrugët nga bora.
Rrugët rurale në administrim të bashkive, janë të qarkullueshme me zinxhirë, përveç rrugës që lidh njësinë Administrative Arrë, me rrugën nacionale.
Nga strukturat përgjegjëse të bashkive, po punohet që këto rrugë që të jenë funksionale, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm është normal në shkallë qarku.
Në zonat Grykë-Çajë, Kalis, Kolsh, Surrol, Arren dhe Malzi, ka mungesë të energjisë elektrike.
Gjithashtu, mësohet se mungon energjia në njësinë administrative Tërthore, Bicaj, Ujmisht dhe Bushtricë.
Qarku Dibër
Duket e rënduar situata e motit nga reshjet e borës të nisura prej afro 48 orësh në qarkun Dibër.
Situatë problematike mbetet në Bulqizë e Dibër, kur në zonat e thella malore trashësia ka arritur deri në 60 centimetra.
Të gjithë fshatrat e njësive Administrative Kala e Dodës, Selishtë e Lurë, janë të izoluar, pasi trashësia e borës është shumë e madhe.
Në të njëjtën situatë, gjenden edhe Njësitë Reç, Zall – Dardhë.
Edhe në Njësitë Administrative Martanesh, Trebisht e Ostren të Bulqizës është e njëjta situatë pasi dëbora shkon deri në 50 centimetra.
Rruga nacionale Peshkopi–Klos është e kalueshme, pasi është mbajtur e hapur. Edhe rruga Peshkopi–Qaf Drajë– Kukës është e kalueshme.
Akset Qaf Bualli–Krastë dhe Ura e Çerenecit–Librazhd, kalohen me vështirësi dhe duhet përdorimi i zinxhirëve.
Shumë fshatra të Bashkisë Dibër e Bulqizë janë pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit përcjellës.
Qarku Korçë
Në qarkun e Korçës, reshjet e borës kanë vazhduar me intensitet në zonat mbi 1000 metra, të shoqëruara me erë të fortë.
Trashësia e borës varion nga 5-25 centimetra në zonën e Voskopojës, Qafa e Qarrit dhe në rrugën e Dardhës.
Pa energji kanë mbetur 20 fshatra të njësive Gore dhe Moglicë.
Gjithashtu, në njësitë administrative Dardhas, Trebinjë, Velçan dhe pjesërisht njësia Propisht, ka mungesë të energjisë elektrike.
Grupet e OSHEE janë në terren për riparimin e defektit në këto zona.
ARRSH njofton se kontraktorët aktualisht janë në akset rrugore, duke punuar me borë pastruese dhe grupe pune për të hapur rrugët.
“Kërkohet kujdes nga drejtuesit e mjeteve në kushtet e lagështirës së madhe në rrugë, ndërsa kalimi i automjeteve bëhet me zinxhirë”, – vijon ARRSH.
Rajoni Qendror nuk ka probleme me qarkullimin. Rekomandohet që përdoruesit e mjeteve që kalojnë në segmentet Lunik-Steblevë dhe Krujë-Sarisallitik të pajisen me goma dimri ose zinxhirë.
“Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm, sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë në akset ku është e nevojshme, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, apelon ARRSH për situatën në të gjitha qarqet e vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




