Kosova

‘Republika e Kosovës’ në faqen e qeverisë serbe, kryeministrja Brnabiç kërkon falje

Në momentin kur presidenti Aleksandar Vuçiç ishte përballur ashpër me opozitën në Parlamentin serb për çështjen e bisedimeve për planin franko-gjerman mbi Kosovën, një dokument i qeverisë së Ana Brnabiç ka tronditur sërish politikën e Beogradit.

Ish-ministri i Vuk Jeremiç, tashmë kundërshtar politik i Vuçiç ka botuar një dokument të marrë nga faqja zyrtare e qeverisë serbe ku shkruhej Republika e Kosovës. Partitë opozitare në Serbi e kanë shpërndarë në publik, duke aluduar se tashmë qeveria e ka njohur Kosovën shtet.

“Qeveria e Serbisë ka publikuar në ueb faqen e saj informacione për debatin parlamentar për Kosovën dhe Metohinë. Në versionin anglisht shprehen “REPUBLIKA E KOSOVËS” krejtësisht rastësisht. Ata janë ose tradhtarë ose injorantë. Ose të dyja. Kjo do të kërkonte dorëheqje në Spanjë ose Qipro”, shkruan Jeremiç në një postim të tij në rrjetet sociale.

Por kryeministrja Ana Brnabiç reagoi menjëherë duke kërkuar falje për një gjë të tillë, duke e komentuar se ishte një lapsus.

“Ishte një gabim i rëndë, i pafalshëm i përkthyesit. Dua t’u kërkoj falje të gjithë qytetarëve tanë që një gabim kaq i rëndë është shfaqur në ueb faqen e Qeverisë së Republikës së Serbisë. Menjëherë e hoqëm atë faqe. Përgjegjësia është e ekipit të internetit të qeverisë dhe shërbimit të shtypit. Ne kontrolluam se për çfarë bëhej fjalë, ishte një gabim i rëndë dhe i pafalshëm i përkthyesit”, tha Brnabiç.

Më tej ajo shtoi se e kishte përjetuar aq rëndë këtë situatë, “saqë“nuk munda të flija mbrëmë”.

“Nuk e di çfarë të bëj, nuk mund të vras veten për këtë. Por më vjen keq që po përdoret nga opozita për të fituar disa pikë politike”, shtoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë