“Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike”, shprehet Organizata “Reporterët Pa Kufij” në Indeksin i fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit.
Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian. Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.
Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.
“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre”.
Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e të Ballkanit Perëndimor.
Pavol Szalai, redaktor i Raportit të “Reporterëve pa Kufij” për BE-në dhe Ballkanin thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se krahasuar me standardet evropiane, gjendja për gazetarët në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë. “Vitin e kaluar një punonjës i sigurisë u vra si pasojë e të shtënave ndaj godinës së televizionit ‘Top Channel’. Në vlerësimin për Shqipërinë, kjo pasqyrohet në një tregues më të ulët të sigurisë. Por dhe 4 treguesit e tjerë të lirisë së shtypit kanë shënuar rënie – mjedisi ekonomik, mjedisi politik, kuadri ligjor dhe treguesi i jetës shoqërore”, shprehet ai.
Sipas zotit Szalai gjatë vitit të kaluar problemet e vazhdueshme të Shqipërisë janë thelluar. “Problemi më i madh është konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve të medias mbi pavarësinë editoriale. Një tjetër problem është niveli i ulët i zhvillimit të qëndrueshëm afat-gjatë të medias në Shqipëri, që ndërlikohet më tej nga censura në median online, në rrjetet sociale, diçka e zakonshme atje dhe nga sulmet verbale politike kundër gazetarëve, të cilat bëhen nga të dyja palët, qeveria dhe opozita”, shprehet ai.
Sa i përket sigurisë së gazetarëve ai vë në dukje “problemin e krimit të organizuar, si dhe të fushatave online në media të caktuara, me shumë urrejtje dhe shpifje kundër gazetarëve”.
Sipas tij, “kjo nuk është diçka e re, por problemet në Shqipëri janë akoma më të mëdha, ndaj ajo renditet e fundit në rajon”.
Gazetaria përballë dezinformimit
Organizata thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale për përhapjen e dezinformimit për qëllime politike është shqetësues, duke theksuar se lajmet e rreme po zënë një rol të rëndësishëm në ndikimin e procesit zgjedhor.
Sipas saj, grupet politike shpesh shërbejnë si kanale për përhapjen e dezinformimit apo edhe nxitjen e tij. Në 138 vende nga 180 që vlerësohen në Indeks, të anketuarit e pyetuar kanë pohuar se aktorët politikë shpesh përfshihen në përhapjen e propagandës ose fushatat e dezinformimit.
Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, veçanërisht në Bjellorusi, Gjeorgji, Kirgistan dhe Azerbajxhan është forcuar ndjeshëm censura mbi median, duke imituar metodat shtypëse të Rusisë, thuhet në raport. “Ndikimi i Kremlinit ka arritur deri në Serbi, ku mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse dhe autoritetet kërcënojnë gazetarët rusë në mërgim”, thuhet në raport.
Në indeksin e organizatës, Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.
Në raport vërehet se “interesat politike krijojnë një atmosferë mbytëse për gazetarët në shumë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, si Bosnje-Herzegovinë (renditur e 81-ta), Serbia (e 98-ta) dhe Shqipëria (e 99-ta). Turqia (e 158-ta) vazhdon të burgosë gazetarë dhe të minojë median nëpërmjet censurës në median on line dhe kontrollit mbi pushtetin gjyqësor”.
Rënie e mëtejshme është shënuar në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore, ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe ku mediat përdoren gjithnjë e më shumë në fushata dezinformimi.
Shteti rus (renditet i 162-ti) ka vazhduar sulmin kundër gazetarisë së pavarur, ndërsa mbi 1,500 gazetarë janë larguar jashtë vendit pas agresionit rus ndaj Ukrainës./VOA/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.