Gazeta Si – “Ne nuk po bëjmë luftë, sepse Kosova është e jona dhe askush nuk po bën luftë në shtëpi. A mund të hyjë ndonjëherë Italia në një luftë me Sardenjën apo Piemonten?”.
Në murin e jashtëm të klubit, një “Vladimir Putin”, i cili vërtet ka pak ngjashmëri me origjinalin, ngre gotën e tij duke bërë dolli për njerëzit e ulur në tavolina, të cilët nga ana e tyre janë duke festuar përplasjet e së hënës dhe ndoshta duke përgatitur një vazhdim.
Mes tyre është edhe Jovani, një ish-oficer i ushtrisë jugosllave, i cili bën pyetje me një ton aq autoritar sa të këshillojë kundër çdo përgjigjeje.
Në anën e kundërt të kryqëzimit, një grup të rinjsh me bluza të zeza si pothuajse të gjithë të pranishmit, presin të marrin urdhra nën muralin që ndodhet gjenerali famëkeq Ratko Mlladiç, i njohur ndryshe si xhelati i Srebrenicës.

Në fund të rrugës qendrore, dhjetëra agjentë të policisë ushtarake kosovare janë vendosur për të mbrojtur komunën.
Barriera me tela me gjemba që i ndan nga demonstruesit serbë, nuk e fsheh ndjenjën e një rrethimi ndaj tyre.
Në trotuar ka mbetur ende gjurmë nga bombat e molotovit, ndërsa makinat me xhamat e thyer janë mbuluar me bojë të zezë “Z” (simboli i luftës ruse në Ukrainë) dhe janë shfaqur si trofe.
Thellë në veri të Kosovës, përtej Mitrovicës dhe nën hijen e malit të quajtur “Dhëmbi i Dragoit”, mbi të cilin gjenden mbetjet e një kështjelle të lashtë mesjetare serbe, Zveçani duket vërtet një botë e përmbysur.
Në rrugën që të çon në qendër, pothuajse çdo shtëpi shfaq flamurin serb dhe rus. Janë të panumërta “Z”-të në mure, me shumë variacione që lavdërojnë brigadën mercenare ruse “Wagner”, në rast se koncepti nuk është i qartë për kalimtarët.
Pasi futemi në lokalin “Camel”, këmbët fshihen në një rrogoz dere që përshkruan flamurin amerikan dhe fytyrën e ish-presidentit amerikan Bill Clinton (lejoi sulmet e NATO-s në Serbi pas barbarive dhe masakrave në Kosovë).
Kemi shëtitur me orë të tëra pa gjetur një banor etnik shqiptar, të paktën një nga 600 guximtarët që u paraqitën për të votuar për kryetarin e ri, Ilir Peci, ndërsa gjashtëmbëdhjetë mijë bashkëqytetarët e tjerë, kryesisht serbë, braktisën zgjedhjet në tre komuna të tjera të zonës, duke kontestuar më pas legjitimitetin e saj.
“Do të ishte më efektive t’i mbyllësh të gjithë brenda”, thotë një ushtar norvegjez nga kontingjenti i NATO-s, i cili ruan në mënyrë diskrete hyrjet në qytet. “Ata nuk do të ndryshojnë kurrë mendje sidoqoftë”.
Pavarësisht njoftimit për dërgimin e 700 ushtarëve të tjerë që do t’i bashkohen katër mijë të tjerëve tashmë të pranishëm, raporti i fuqive duket i pabarabartë.
Në Zveçan, i cili dikur ishte kryeqyteti minerar i Jugosllavisë, historia është një detaj.
“Ky vend është Serbia, çfarëdo që të vendosë bashkësia ndërkombëtare”, ia pret shkurt Jovani, duke i bërë miqtë e tij të ngrenë syzet. Në një foto të vendosur në pasqyrën pas banakut, Sllobodan Millosheviç buzëqesh i kënaqur.

Një ditë pas sulmit që plagosi rreth 30 ushtarë të KFOR-it, mes tyre katërmbëdhjetë italianë, dy ende të shtruar në spital (të tjerët janë mirë), atmosfera mbetet e zhytur në dhunë.
Vështrimet e nacionalistëve serbë janë të mbushura me mllef dhe pritshmëri. “Ne nuk do të kemi kurrë një kryetar komune shqiptar”, – thotë Lazlo Gajoviç, një tridhjetë vjeçar me biceps të mëdhenj, i cili megjithatë sapo ka ardhur nga Beogradi dhe nuk di asgjë dhe nuk njeh asnjë nga këto anë.
Në orën 14.00, një makinë “Jeep” me flamurin e Bashkimit Europian në derë përfundon gabimisht në qendër të kryqëzimit dhe pushtohet fillimisht nga klithmat, pastaj nga gurët dhe rrënojat e hedhura nga të gjitha drejtimet.
Gjysmë ore më vonë, disa “të moshuar” që menaxhojnë turmën nga klubi rekreativ, bëhen të paduruar. Katër gazetarë kosovarë fajtorë për pyetje të padëshiruara, goditen me shkelma dhe grushte.
Kamerat e tyre thyhen. Nën sytë e Policisë Ushtarake, të cilët bëjnë sikur nuk shohin. Papritur, turma mblidhet rreth një burri. Srdjan Milosavljeviç duhet të jetë zëri i arsyes.
Ka qenë kryetar i komunës së Zveçanit. Mesazhi i tij që synon qetësimin e temperamentit është plot paqartësi.

“Ne kemi të drejtë për gjithçka dhe gjithmonë”, thotë ai. “Por mbetet ende në dorën tonë për të shpëtuar paqen”.
Megjithatë, ai e shoqëron qëllimin e mirë të sapopërmendur me një urdhër të një mobilizimi të vazhdueshëm, nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 16:00, të cilit do t’i shtoheshin edhe shumë mbështetës të ardhur nga kryeqyteti serb. “Për të parandaluar plagën e njëmbëdhjetë të historisë sonë”, – vijon ai.
Askush nuk flet për kërkesën për autonomi më të madhe ndaj shtetit qendror, mollë sherri që çoi në bojkotimin e votimit, sipas një versioni zyrtar që i përshtatet të gjithëve.
Ndoshta ishte vërtet kështu. Në këtë enklavë ekstreme serbe të Kosovës, politika nuk ka të drejtë azili. Të gjithë e mbushin gojën me arsyet e gjakut, të racës, të urrejtjes ndaj të tjerëve.

“Falë Rusisë, të vetmit vend që kupton arsyet tona, më në fund jemi gati të hakmerremi me shqiptarët dhe me ju europianët”, shpjegon Milani, një i ri, i cili pretendon se studion për drejtësi.
Dy qytetarë të vetëm nderi të Zveçanit, janë Vladimir Putin dhe tenisti Novak Gjokoviç, i cili nuk bën shaka kur bëhet fjalë për nacionalizmin.
Në shumë bluza është shtypur mbishkrimi “Z3”, ose anasjelltas, i cili ndërthur simbolin e pushtimit të Ukrainës me përshëndetjen e nacionalistëve serbë (tre gishtat lart: fitorja, kisha, familja.
Pak jashtë Zveçanit, shfaqen një duzinë makina të shkatërruara ose të djegura me targa të Republikës së Kosovës. Në anën e nxirë të një “Opel Astra”, dikush ka shkruar se “Kosova nuk ekziston”.
Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




