Më të mirat 2021

Reportazh / Në ‘purgatorin’ e Jarinjës, mes shkulmit dehës dhe euforisë së serbëve

Nga Gisela Troplini - Në ditën e nëntë të tyre (pak orë para arritjes së marrëveshjes për targat në Bruksel), protestuesit serbë në Mitrovicë të Veriut po festonin. Të shtruar me pije alkoolike, mish të gatuar po aty afër, gurë domino dhe me muzikë që vinte nga radioja e kamionit.


Protestuesit serbë në Jarinjë duke dëfryer, Gazeta “SI”, Shtator, 2021


Nga dalja e qytetit të Mitrovicës e deri në Jarinjë, në kufirin ku lëviz lumi Ibër, janë vendosur plotë flamuj serbë, në formën e dekorit të festave. "Po për ta festë është",-thotë njëri nga qytetarët e Kosovës që po na shoqëronte.
Makina duhet të parkohej mbi 2 km larg kufirit sepse barrikadat mund të zgjateshin dhe makina të bllokohej, siç kishte ndodhur me makina të gazetarëve të tjerë më herët.





Barrikada e parë, Jarinjë, Mitrovicë e Veriut Gazeta “SI”, Shtator, 2021


Barrikada e parë ishte me rreth 6-7 makina të vendosura sikur ishin parkuar në të djathtë të rrugës, më pas gjendeshin makinat dhe trupat amerikane dhe polake të KFOR-it. Pas disa metrave rrugë nis barrikada e dytë, ajo është e mbushur me kamionë të vendosura në pozicone të çregullta duke krijuar labirinte të ngushta për këmbësorët.


Para se të arrish në barrikadën e tretë dhe të fundit, arrin tek ata që po pinin alkool dhe po luanin domino. Pas tyre ishin ata që kishin ndezur zjarre për të gatuar dhe për t'u ngrohur, dhe që përqeshnin kur të dëgjonin të flisje shqip. Nuk pranonin kurrësesi të flisnin dhe kthenin shpinën sa shikonin kamera apo telefon nga larg. Nga afër niste debati. Të kaloje në mesin e tyre ndiheshe e pasigurt.


"Ata janë, pjesa më e madhe, punonjës të institucioneve shtetërore në Serbi dhe po rrin nga halli i vendit të punës. Pjesa tjetër marrin para që qëndrojnë aty. Për çdo gjë që kanë nevojë i vijnë gjërat nga lart",-tha njëri nga komandantët e Njësive Speciale të Kosovës për gazetasi.al (për arsye profesionale refuzoi të ketë emrin e tij në shkrim).
Ai tregoi se më herët kishin pasur konflikte me njëri-tjetrin sepse mund ta tepronin me alkoolin dhe euforinë.

Vendqëndrim për protestuesit serbë, Jarinjë, Mitrovicë e Veriut Gazeta “SI”, Shtator, 2021

Barrikada e fundit është pamje e fiksuar tashmë për qytetarët e Kosovës , por edhe për vetë serbët. Barrikada e fundit përbëhet nga kamionë edhe më të mëdhenj se ato të herës së dytë, ngjyrë portokalli, kamionë, tashmë signifikues të protestave serbe. Ata ishin vendosur me përllogaritje me qëllim krijimin e shtigjeve vetëm gjysmë metri të gjëra, ku duhet të kalonte çdo gazetar, operator, forcë speciale, qytetarët dhe vetë protestuesit.


Qytetarët që lëvizin ishin 99% nga Serbia, ata shkolloheshin ose kishin krijuar marrëdhënie pune me Kosovën dhe e kalonin kufirin e Mitrovicës të paktën dy herë në ditë, në këmbë, më çanta, valixhe, çfarëdo.
Ama ata nuk pranojnë të flasin! Për faktin që mund të jesh media ose më keq për ta, të flasësh shqip. Teksa kalojnë, mbajnë të gjithë të njëjtin qëndrim, përçmim dhe nerva duke bërë të mendosh që je vetëm një përplasje sysh larg konfliktit të dy shteteve.

Qytetarë serbë që kalojnë kufirin për të hyrë në Kosovë, Jarinjë, Mitrovicë e Veriut Gazeta “SI”, Shtator, 2021


Njësitë Speciale të Kosovës janë ndarë në 4 grupe, të shpërndarë në të gjithë kufirin. 70 trupa që qëndrojnë 24h aty, vetëm se ndërrojnë pozicion. Njëri nga ta, që në përputhje, e kishte emrin Kanun, tha se protestuesit po presin të largohen sa më shpejt që ketu. "Nuk bëjnë dot gjë vetëm bëjnë presion për tension, janë njerëz të poshtër!"
"Nëse këtu nis konflikt, nuk del pa gjak!",-tha Komandanti për "SI".


Djemtë e Njësive Speciale që qëndrojnë në makina me municione ushtarake dhe janë të veshur me armë zjarri, janë të fundit që kërkojnë konflikt. Ata mundohen me detaje të mos bëhen shkas i ndonjë ngjarjeje të papritur. Ata ndihmojnë edhe protestuesit ndonëse nuk i shprehin asnjë "faleminderit". Gjatë kësaj kohe, një zonjë nga Serbia, pronare e një lokali aty pranë që protestuesit e kishin djegur kur ishin të dehur , po merrte të gjitha objektet që kishin ngelur për t'i kaluar nga ana tjetër, ana serbe. Asnjë nga djemtë e NJSK-së nuk e la t'i kalonte e vetme, për t'u parë përsëri me neveri.

Njësitë Speciale të Kosovës, Jarinjë, Mitrovicë e Veriut Gazeta “SI”, Shtator, 2021

Pothuajse gjatë të gjithë paradites, çdo 15 minuta, zona kontrollohej nga helikopterë të KFOR-it. Gjatë së njëjtës kohë, protestuesit erdhi dhe i vizitoi Ministri i Pushtetit Lokal, Lideri i Listës Serbe, Goran Rakiç. Protestuesit e donin dhe e anasjellta. Ai pranoi të fliste për mediat që ndodheshin aty, por vetëm në serbisht, nuk mund të "provokonte" duke folur shqip, në një territor të Kosovës. “Çelësi i suksesit dhe i zgjidhjes së kësaj krize është në Bruksel, e jo në Jarinjë e Bërnjak”,-tha Rakiç.




Ministri i Pushtetit Lokal, Lideri i Listës Serbe, Goran Rakiç, Jarinjë, Mitrovicë e Veriut Gazeta “SI”, Shtator, 2021


Kur ra dielli, protestuesit hynë në çadrat ku qëndronin dhe asgjë nuk ndihej e shihej. Rreth e qark ishim vetëm ne, gazetarët, forcat speciale, trupat e KFOR dhe qytetarët që kalonin kufirin nga të dyja anët, në këmbë.
Situata ishte e qetë natën, ashtu si tërë ditën. Shqiptarët aty e kontrollinin shumë veten për të mos për qoftë dhe një grimëmasë që do të merrej për provokim nga ana e serbëve.





Helikopterët e KFOR që kontrollojnë territorin, Jarinjë, Mitrovicë e Veriut Gazeta “SI”, Shtator, 2021


Rreth orës 20:00 të darkës, erdhi koha që trupat e Njësive Speciale të ndërronin vendet dhe ky ishte pikërisht momenti kur protestuesit nisnin qëndrimin. Me një strategji adoleshentësh, ata dolën jashtë fiks në orën e ndërrimit, që të dukeshin se sa janë dhe t'u rikujtonin atyre që ata janë ende aty dhe kanë edhe fuqi edhe nerva. Pas kësaj nisi festa përsëri!


Alkool, muzikë dhe valle në kufi, afër dhe larg një konflikti!





Ndërrimi i turneve të Njëisve Speciale Jarinjë, Mitrovicë e Veriut Gazeta “SI”, Shtator, 2021


Rreth orës 21:30 kur ne, të vetmit "të huaj" që kishin mbetur po bëhenim gati të largoheshim, Njësitë Speciale shpenzuan kapsulat e fundit të kafesë për ne. "Si mos t'ju japim juve? Ju na keshni ne",-tha njëri nga djemtë që sapo ishte ndërruar në turn. Ndërkohë, gazetarët dhe pjesa tjetër e mediave po qëndronin të ulur në tapetet e shtruara për to po nga Njësitë.


Në momentin e largimit nga Jarinja, rreth orës 22:00, gjatë kalimit të barrikadave dhe serbëve që po festonin, nëse ishte e mundur të mbaje frymën, po mund ta mbaje, sepse gjëja më e vogël mund të ishte provokacija, sipas dhe vetë këshilltarit të Rakiç që na e la amanet. Festa ndalohej sa kalonim ne, gazetarët që flisnim shqip dhe niste nënqeshja. Në ndarjet e barrikadave me njëra-tjetrën, ku kishte hapësirë për xhiro të shkurtra me makinë, ata nuk ndalonin se po kalonim, as nuk e ulnin shpejtësinë dhe as nuk devijonin, deri sa ne ta bënim.
Në ditën e 9-të të protestës dhe pas takimit në Bruksel të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, situata, në pamje të parë nuk duket shumë e tensionuar, ndoshta as serioze, por siç tha Komandanti, për një detaj, aty nuk del pa gjak!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë