Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti socialist, Toni Gogu, i replikoi Jorida Tabakut, e cila tha se integrimin e Shqipërisë e pengonte mazhoranca me farsën zgjedhore.
Ai i kujtoi se Raporti i Brukselit nuk thotë se zgjedhjet u manipuluan, por sipas tij se ishin konkurruese e se opozita pretendon se ato janë vjedhur.
Gogu u shpreh se e vetmja vjedhje më 11 maj ishte sipas tij ajo brenda kandidatëve të PD-së, që gjithashtu u vodhën edhe në Primaret e partisë.
Kurse për ankesat e opozitës ai tha se kjo prognozë opozitare ishte paralajmëruar më herët para zgjedhjeve se në fillim do deklaronin fitoren e më pas do ankoheshin për humbjen.
“Të marrësh dhe të keqcitosh raportet e BE-së nuk i bën nder këtij diskutimi. Deri tani ishim korrekt, raportet e BE për Shqipërinë kanë qënë këto: Zgjedhjet kanë qenë konkurruese, forcat politike dhe kandidatët kanë pasur mundësi të konkurrojnë, profesionale, profesioniste. Dhe patjetër që fusha ka nevojë të nivelohet, njëlloj siç ka nevojë të nivelohet në vende të tjera për të arritur standardet në një demokraci dhe aq më tepër një demokraci si e jona që është në ndërtim.
Raporti thotë, pjesëtarë të opozitës pretendojnë se zgjedhjet janë vjedhur etj. etj., ku të gjithë shqiptarët në dritën e diellit panë se çdo kuti ishte ajo më 11 maj dhe të vetmit të vjedhur ishin kandidatët e opozitës, që u panë, e kjo filloi që me Primaret”, tha Gogu.
Më herët ai akuzoi opozitën për nxirjen dhe baltosjen e Shqipërisë në Europë sipas tij si një vend narkoregjim.
Për këtë iu përgjigj Tabaku e cila tha se Gogu dhe PS nuk duhet të shqetësohen për opozitën, por sipas saj për korrupsionin dhe mungesën e standardeve dhe zgjedhjeve farsë të 11 majit.
“Opozita e ka kryer detyrën e saj me përsosmëri. Nuk është bllokuar ky proces asnjëherë prej nesh, por prej jush. Prej mungesës së standardeve, ashtu siç do e bllokoni për zgjedhje, as në standarde ballkanike. Duhet të shqetësoheni për mungesën e standardeve, sepse nuk janë plotësuar, për këto duhet të shqetësoheni ju dhe jo për hallet e opozitës. Opozita i zgjidh vetë hallet e saj”, tha Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.