Biznes

Renta minerare, qeveria ndryshon skemën. E rrit çdo vit deri në 2021

Sabina Veizaj- Në projektligjin e paketës fiskale 2019, qeveria pati parashikuar që të rriste rentën minerare nga 6% në 9%.

Arsyeja që jepte propozuesja e atij projektligji, Ministria e Financave në relacionin shpjegues, ishte se kromi në Shqipëri do të mbarojë për 8 vite. Sipas saj, hapi i eksportit është mjaft i madh: 500 mijë tonë në vit. Ndërsa 135 mijë tonë të tjera shkojnë për përpunim brenda vendit, në një kohë që rezervat e kromit në Shqipëri vlerësohen në 5.5 milionë tonë. Dhe me ritme të tilla, pretendohet se kromi do të mbaronte për 8 vite, ndërkohë që industria e ferrokromit në vendin tonë do të duhej të mbyllej pas 10 viteve.
Teksa ekspertët e fushës u çuditën me sqarimet e Ministrisë së Financave në atë kohë, grupet e interesit shpjegonin se askush nuk e di me saktësi se sa rezerva kromi ka aktualisht në vend, por vendimi për rritjen e rentës minerare bëhej me qëllim për të favorizuar biznese pranë qeverisë në këtë sektor.

Disa prodhues thanë në atë kohë për gazetën “Si” se, rritja e rentës bëhet që prodhuesit të mos guxojnë të prodhojnë për eksport për shkak të kostove të papërballueshme dhe të punojnë për Samir Manen, i cili mendohet të jetë eksportuesi më i madh i ferrokromit në Shqipëri.
Një grup sipërmarrësish të këtij sektori kërkuan takim në dhjetor me qeverinë, e cilas sipas tyre u përfaqësua në nivele të ulta dhe këmbëngulte në vendimin e saj. Pas diskutimeve, ajo çfarë qeveria mori parasysh dhe reflektoi për rentën minerare ishte qe rritja graduale në tre vjet.

Tatimet, sot, në kuadër të paketës së re fiskale vënë në dijeni tatimpaguesit se çfarë i detyrohen shtetit për aktivitetin ekonomik që kryejnë.
Përqindja e rentës minerare për “Mineralet e kromit për eksport”, bëhet :

7% duke filluar nga data 1 janar 2019,
8% duke filluar nga data 1 janar 2020,
9% duke filluar nga data 1 janar 2021 dhe në vijim.

Pra qeveria do ta realizojë planin e saj fillestar për ta shpënë rentën minerare në 9% në 3 vite duke e rritur atë me një për qind çdo vit.

Shkëlqim Cevani, sipërmarrës i fushës thotë për gazetën “Si” se “shpërndarja në tre vite u bë për të zbutur reagimet e tyre. Ai thotë se ndikimi do të jetë shumë negativ.

“Kjo është politikë e grosistëve këtu brenda. Gjithë kjo bëhet me mendimin se prodhimi vendas në tre vite sa vjen e bie. Parashikohet që niveli i prodhimit mund të bjerë në 20%. Megjithatë, nuk është se tregu vendas mund të plotësojë kërkesat tona për shitje. Ato me këtë lloj politike, bëjnë që ato ti ofrohen furnitorëve që janë potent me krome cilësor, kurse kromi që nuk është cilësor, do të shkojë në eksport. Në rastin konkret na kanë penalizuar me rreth 3% në tre vite, nga krahu tjetër renta minerare brenda për brenda ka mbetur 3%. Me format e tyre po bëjnë një politikë të tillë që ne të shesim vetëm brenda për brenda vendit.”

Z. Cevani shpjegon se sjellja e sipërmarrësve të kromit do të jetë në funksion të sjelljes së tregut. Nëse çmimi i kromit për eksport do të rritet përtej 200$ që është aktualisht, nuk do të ketë shkurtim të vendeve të punës, në të kundërt, nëse në këto tre vite çmimi do të ulet, rrezikohen vendet e punës në këtë sektor.

Aktualisht në Shqipëri ka rreth 100 subjekte prodhues të kromit; të vegjël, të mesëm e të mëdhenj. Kurse prodhues të ferrokromit që shërben për eksport janë dy kompani, “AlbKrom” e Samir Manes dhe kompania “GSA”. Sipas burimeve të këtij sektori, “AlbKrom” mbulon 4/5 e tregut.

Ekspertët thonë se, ferrokromi shqiptar është shumë i kërkuar jashtë vendit sepse është i një cilësie të veçantë dhe shërben për prodhimin e çelikut special, të cilin ne nuk e prodhojmë. (65-70 % krom, 15 % hekur dhe minerale të tjera)

Të dhënat zyrtare nga doganat tregojnë se në vitin 2010 janë eksportuar rreth 19, 6 mln ton 496 ton ferrokrom me vlerë rreth 2,9 mld lekë. Kurse në 9 muajt e parë të 2018-ës janë eksportuar rreth 65 mln ton me vlerë rreth 12 mld lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë