Ekonomi

Rënia ekonomike e Eurozonës, më e lehtë nga sa pritej

BE-ja po kalon në vështirësi të shumta ekonomike, por aktiviteti i bizneseve në sektorin privat pësoi rënie më të vogël nga ajo që pritej, sipas një sondazhi të ri.

Një raport i ri i publikuar zbuloi se recesioni i Eurozonës mund të mos jetë aq i rëndë sa pritej.

Indeksi i përbërë i Menaxherëve të Blerjeve (PMI) nga S&P Global për eurozonën u rrit në nivelin më të lartë pesë-mujor, duke arritur 49.3 për muajin dhjetor. Kjo shifër është gjithashtu më e lartë se vlerësimi paraprak për këtë muaj, i cili shkonte deri në 48.8.

Indeksi nën shifrën 50 tregon rënie ekonomike, ndërsa indeksi më i lartë se 50 tregon rritje ekonomike.

“Ekonomia e eurozonës vazhdoi të përkeqësohej përgjatë dhjetorit, por rënia ekonomike u moderua për të dytin muaj radhazi, duke treguar kështu se ajo mund të jetë më e lehtë nga sa ishte parashikuar fillimisht,” tha Joe Hayes, një ekonomist i lartë në Inteligjencën e Tregut Global të S&P.

Eurozona ende nuk ka gjasa të ketë rritje ekonomike në të ardhmen e afërt

Indeksi PMI konsiderohet si një indikator i mirë i shëndetit ekonomik në Eurozonë, e cila është duke u përballur me inflacionin dhe mungesat e energjisë që vijnë si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.

Indeksi merr në konsideratë firmat e prodhimit dhe të shërbimeve në disa ekonomi të mëdha europiane, duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Spanjën, dhe gjurmon variabla të tilla si shitjet, punësimin dhe çmimet.

Rezultatet e sondazhit, sollën një tablo ekonomike pak më të mirë se vlerësimet e mëparshme.

“Megjithatë, ka pak prova… për të sugjeruar se ekonomia e eurozonës mund të ketë një rritje domethënëse dhe të qëndrueshme në të ardhmen e afërt,” tha Hayes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë