Yield-i mesatar i portofolit të brendshëm pësoi sërish një rënie të lehtë në tremujorin e dytë të vitit, duke prekur një minimum të ri historik.
Në muajin qershor ai zbriti në nivelin 3.58%, nga 3.61% që kishte qenë në fund të vitit 2020 dhe 3.75% në mesin e vitit 2020, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
Yield-i mesatar pa llogaritur pjesën e portofolit të mbajtur nga Banka e Shqipërisë (që merr pjesë në ankande pa oferta konkurrese) ishte pak më i lartë, në nivelin 3.77%, por tendenca rënëse është e njëjtë, edhe nëse përjashtojmë këtë segment.
Falë rënies së vazhdueshme të yield-eve, vlera e paguar e interesave të borxhit të brendshëm për 6-mujorin 2021 ra në 10.9 miliardë lekë, 7.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shuma e paguar për interesa ka rënë, pavarësisht se stoku i borxhit të brendshëm është rritur me 7% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.
Në mesin e këtij viti, maturiteti mesatar i letrave të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm ishte 782 ditë, me një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, kur maturiteti mesatar ishte 789 ditë.
Sidoqoftë, tendenca afatgjatë ngelet dukshëm drejt zgjatjes së maturitetit mesatar të instrumenteve të huamarrjes në tregun e brendshëm. Pas vitit 2014, qeveria shqiptare nisi të zgjasë maturitetin mesatar të instrumenteve të borxhit, me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit. Instrumentet afatgjatë, me maturim mbi një vit, përbëjnë rreth 66% të stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë qendore, nga 51% që zinin në vitin 2013.
Në fund të muajit qershor, borxhi publik ishte 1.27 trilionë lekë, në rritje me rreth 4% që nga fillimi i vitit ndërsa në fund të vitit 2020, borxhi publik vlerësohej sa 77.85% e PBB-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



