Nga Alexander J.Motyl* – Federata Ruse është produkt i shembjes së perandorisë sovjetike, ashtu siç Bashkimi Sovjetik ishte produkt i rënies së Rusisë perandorake. Duke shqyrtuar historinë e gjatë të perandorive, nuk është aspak befasuese që Rusia e sotme ka nisur një projekt ri-imperializimi, pra po përpiqet të rindërtojë sa më shumë që mundet nga perandoria e saj e dikurshme.
Por përpjekja e Rusisë do të dështojë dhe kjo nuk do të jetë befasuese. Shumica e perandorive që kanë qenë në dukje të qëndrueshme, janë shpërbërë me kalimin e kohës, derisa gjithçka që u mbeti ishte qendra e ish-perandorisë. Perandoria Bizantine dhe ajo Osmane, janë shembuj të përsosur të kësaj dinamike.
Secila prej tyre humbi gjithnjë e më shumë territor. Por asnjë nga shtetet që e pasuan nuk u përpoq të ri-imperializohej. E njëjta gjë ishte e vërtetë për perandoritë koloniale evropiane jashtë territorit të tyre. Britanikët u tërhoqën nga shumica e zotërimeve të tyre pak a shumë vullnetarisht dhe pa luftuar shumë.
Ndërkohë holandezët, francezët, portugezët dhe spanjollët rezistuan më shumë, por në fund humbën përballë lëvizjeve për pavarësi. Megjithatë, më pas të gjitha këto vende nuk u joshën nga projektet e ri-imperializimit. Ndërkaq Rusia i përket një kategorie tjetër më të paqëndrueshme të rënies perandorake.
Në kulmin e fuqisë së tyre, disa perandori shpërbëhen papritur dhe në një formë gjithë-përfshirëse. Kjo ndodh zakonisht si rezultat i ngjarjeve katastrofike që prishin lidhjet formale midis bërthamës dhe periferisë. Rusia Perandorake, Gjermania Vilhelminiane dhe Bashkimi Sovjetik, patën pikërisht një fat të tillë.
Deri në momentin e kolapsit të papritur, lidhjet strukturore dhe institucionale midis bërthamës dhe periferisë ishin ende të gjalla. Më e rëndësishmja: ideologjia perandorake mbeti e gjallë dhe e qëndrueshme edhe pas kolapsit, duke çuar në përpjekjet e elitave të qendrës perandorake për të rikrijuar të gjitha ose pjesë të perandorive të tyre të mëparshme.
Kështu bolshevikët, që nuk e fshehën asnjëherë dëshirën e tyre (dhe të drejtën e supozuar) për të ripushtuar të gjitha territoret e Perandorisë Ruse, synime që edhe Vladimir Lenini i refuzoi si shovinizëm perandorak rus, rikrijuan perandorinë në formën e Bashkimit Sovjetik, duke shtypur brutalisht më shumë se një duzinë shtetesh të reja të pavarura, të cilët e kishin shfrytëzuar kaosin si një mundësi për t’i shpëtuar sundimit kolonial të Rusisë.
Nga ana tjetër, nazistët u përpoqën por nuk arritën të rifitonin territoret e humbura të Gjermanisë dhe të ndërtonin një Rajh edhe më të madh. Suksesi apo dështimi në procesin e ri-imperializimit, varet në përgjithësi nga ekuilibri i fuqisë midis bërthamës, periferisë dhe çdo shteti ndërhyrës. Bolshevikët, ishin ushtarakisht dhe ekonomikisht më të fortë se shumica e fqinjëve të tyre, dhe mundën të ringjallnin Perandorinë Ruse. Nazistët bënë shumë armiq dhe dështuan. Në këtë aspekt, trajektorja e Rusisë post-sovjetike është shumë e ngjashme me atë të Gjermanisë ndërmjet luftës: kolapsi i Perandorisë Gjermane në vitin 1918 dhe rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, u pasuan në secilin rast nga kaosi ekonomik, de-legjitimimi i një demokracie të re si nga mobilizimi i forcave radikale.
Këto të fundit kultivuan një udhëheqje autoritare, e cila e rigjallëroi ideologjinë perandorake, premtoi të rivendoste perandorinë dhe vazhdoi të aneksonte pjesë e pjesë të perandorisë së mëparshme përpara se të fillonte një luftë në shkallë të gjerë.
Politologu Rein Taagepera ka paraqitur grafikisht në një studim fitimet dhe humbjet territoriale të perandorive të dikurshme. Nuk është për t’u habitur që grafikët u ngjajnë parabolave: Perandoritë ngrihen, vazhdojnë të qëndrojnë në majë dhe më pas bien.
Po ashtu, perandoritë që arrijnë t’i mbijetojnë fazës së qëndrueshmërisë, ekzistojnë në përgjithësi për shekuj me radhë. Trupat ruse mbajnë sot të pushtuar pjesë të Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Bjellorusia është aneksuar de fakto nga Moska. Dhe pyetja me të cilën përballen rusët, fqinjët e tyre dhe bota, është nëse mbretëria e presidentit rus Vladimir Putin mund të ketë sukses në mbajtjen apo edhe ndoshta zgjerimin e territoreve të pushtuara.
Apo mbetjet e perandorisë ruso-sovjetike do të vazhdojnë në trajektoren e tyre rënëse, derisa të pësojë plasaritje vetë Federata Ruse? Kushtet e nevojshme për ri-imperializimin janë një ushtri e fuqishme, një ekonomi e fortë dhe një qeveri efektive. Nëse tentohet zgjerimi pa një ushtri mjaftueshëm të fortë dhe një ekonomi të aftë për ta mbajtur atë në këmbë, rezultati do të jetë një sforcim i jashtëzakonshëm dhe në fund dështimi.
Pa një qeveri efektive, nuk mund të ruhet një përpjekja e qëndrueshme e nevojshme për zgjerim territorial. Në këto kushte bëhen më të mundshme shterimi i burimeve dhe energjisë dhe disfata. Dhe me shumë edhe mundësi ndryshimi i regjimit ose kolapsi i shtetit. Ashtu si Gjermania naziste dikur, edhe Federata Ruse do të dështojë të ri-imperializohet.
Ushtria e saj është dukshëm mediokre, ekonomia e saj është pothuajse aq e madhe sa ajo e Italisë apo e shtetit të Teksasit në SHBA, dhe qeverisja e saj është bërë gjithnjë e më e paefektshme dhe e paqëndrueshme, ndërsa elitat po nisin të kërkojnë pushtet në atë që ata e shohin si epokë që po afrohet me shpejtësi pas Putinit.
E ardhmja e afërt mund të jetë edhe më e zymtë, sidomos nëse regjimi mbetet i udhëhequr nga tekat e një autokrati të vetëm, dhe vazhdon të dekurajojë inovacionin teknologjik dhe rritjen ekonomike. Pra aspiratat perandorake të Rusisë kanë vdekur, edhe nëse Kremlini mendon ndryshe. Dhe njeriu që kryesoi shkatërrimin e tyre është Putin.
Çfarë duhet të bëjë Perëndimi në këto kushte? Meqë projekti i ri-imperializimit të Federatës Ruse është i dënuar që të dështojë, gjithçka që mund të bëjë Perëndimi është ta zgjasë ose përshpejtojë procesin dhe jo ta ndalojë atë. Zgjatja nënkupton zgjatjen e mjerimit të shkaktuar ndaj popullsive jo ruse por edhe vetë rusëve.
Çdo gjë që përshpejton fundin e pashmangshëm të ri-imperializimit do të reduktonte vdekjet dhe shkatërrimin. Ndaj është e kuptueshme që Perëndimi të kopjojë atë që thuhet në një faqe të veprave të filozofit Karl Marks, duke “përshpejtuar dhimbjet e lindjes së historisë”.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj duhet të bëjnë vetëm pak më shumë se çfarë po bëjnë aktualisht: të mbështesin Ukrainën në çlirimin e territoreve të saj nga pushtimi rus, duke ua dërguar sa më shpejt armët që i nevojiten. Nëse Perëndimi vazhdon të ngadalësojë dërgesat ushtarake, apo edhe t’i reduktojë ato, kjo vetëm do të zgjasë një proces të pashmangshëm dhe do të shtojë vuajtjet. Në çdo rast, ri-imperializimi rus është i destinuar të dështojë.
*Shënim: Alexander J.Motyl është profesor i shkencave politike në Universitetin Rutgers-Newark, SHBA. Burimi: Foreign Policy. Marrë me shkurtime nga Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.