Eksportuesit e bimëve mjekësore prej do kohësh po përballen me rënien e prodhimit të tyre, vështirësinë e gjetjes së lëndës së parë dhe me frikën se nuk do të përballojnë dot kërkesat e tregut.
Shpopullimi i zonave malore, largimi i fermerëve, rritja e çmimeve të inputeve bujqësore dhe mungesa e subvencioneve janë disa nga arsyet që kanë çuar në tkurrjen e prodhimit, duke detyruar kompanitë të rrisin importet.
Bimët që po importohen për t’u rieksportuar janë disa, sipas Filip Gjokës, kreut të Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, i cili përmend për Gazetasi.al rigonin, rozmarinën dhe dëllinjën e zezë pasi tokat në Jug të Shqipërisë sipas tij janë djerrë.
“Tregjet që ne i kemi krijuar prej më shumë së 30 vitesh nuk mund t’i braktisim për shkak të disa politikave të gabuara që ndërmerr qeveria. Kompanitë po detyrohen që të importojnë nga Mali i Zi, Tunizia, Ukraina apo Kosova sepse duhet që të përmbushim kërkesën e tregut të huaj”, thotë ai për Gazetasi.al teksa përmend se eksportuesi kryesor është Gjermania atje ku në 2020-n u eksportuan gati 32% të tyre.
Edhe kultivimi i sherebelës në zonën e Mbishkodrës është i ulët gjë që sipas eksportuesve do i shtyjë kompanitë të importojnë nga Bosnje-Hercegovina, ashtu siç ka ndodhur disa vite më parë, në mënyrë që kontratat e eksportit të plotësohen.
Eksportet e bimëve mjekësore shënuan rritje me 14% kur ra pandemia në raport me një vit më parë, por industria nuk e shfrytëzoi dot mundësinë për të shfrytëzuar hapësirat e krijuara në tregun europian për shkak të mungesës së investimeve në makineri.
Kjo, thonë ekspertët, luajti shumë peshë në humbjen e shansit të sektorit për të konkurruar të paktën me rajonin.
Në zonat malore ka disa bimë, por jo njerëz për t’i mbledhur
“Sasia e bimëve natyrale që po mbillet, po ulet shumë vitet e fundit për shkak të largimit të fermerëve. Në zonat malore ka plot bimë por nuk ka shumë njerëz për t’i mbledhur sepse janë përfshirë në një tendencë emigrimi. Ndërsa ata që janë, e kanë ulur prodhimin për shkak se nuk arrijnë dot të përballojnë kostot e larta. Nëse edhe për disa kohë nuk shtohen kultivimet dhe fermerët nuk do të mbështeten me subvencione, atëherë kompanitë do të jenë të detyruara vetëm të importojnë lëndën e parë nga jashtë, thotë Kujtim Zere nga kompania “Albanian Herb” e cila dallohet për eksportin e rigonit dhe të sherebelës.
Lëndët e para bimore që mungojnë janë kryesisht pjesë të thata të bimës, të cilat nuk i nënshtrohen përpunimit kimik. Duke përfshirë edhe sytha, fara, rrënjë, rizoma, rizoma etj.
Në fakt të njëjtin trend negativ për tokat e lëna djerrë pohoi për Gazetasi.al edhe Eduart Sharka, kreu i Shoqatës së Fermerëve, i cili tha se janë me dhjetëra raste fermerësh që largohen për të punuar në serat e Siçilisë dhe Kretës.
Ai ashtu si Gjoka thotë se një pjesë e fermerëve u kthyen nga jashtë duke e parë që është e mundshme të investohet në këtë sektor.
Remitancat e fituara ndër vite i investuan në vendin e tyre duke investuar në bujqësi.Por duke qenë se sektori i bujqësisë është tepër kaotik, pa rregulla, pa bursë, pa inpute të kontrolluara, fermat e tyre arritën të lulëzonin vetëm për 2-3 vjet. Kështu ata detyrohen të lënë pas bujqësinë, një nga sektorët më të rëndësishëm të Shqipërisë", thotë Sharka për Gazetasi.al.
Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Aromatike thotë se, deri tani, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka ende një politikë të mirëfilltë për subvencionet e fermerëve në mbështetje të kësaj industrie.
Gjoka thotë se heqja e skemës së kreditueshme të TVSH-së 6%, do të shtojë pesimizmin e fermerëve për të kultivuar tokat bujqësore prandaj qeveria duhej ta kishte menduar më mirë këtë vendim.
Shkalla e përpunimit të bimëve në Shqipëri është e ulët për shkak të mungesës së investimeve. Në tërësi, sektori arrin të përpunojë në produkt final 25% të prodhimit, ndërsa 75% eksportohet si lëndë e parë.
“Hyrja në fuqi në vitin 2023 e kritereve të reja për aplikim të fondeve të BE-së nga kompanitë eksportuese të bimëve mjekësore, pritet t’i japë frymëmarrje këtij sektori.Presim që për vitet 2023-2030, shkalla e përpunimit të produktit final të rritet, pasi hyn në fuqi ndryshimi i rregullave për aplikimet e kompanive shqiptare në projektet e granteve të BE-së”, thekson ai.
Si i ka ndikuar trafiku i drogës nëpërmjet bimëve mjekësore eksportuesit?
Një subjekt i vogël eksportues i bimëve mjekësore i cili u kap në mes të janarit duke transportuar drogë në kufirin e Malit të Zi, me destinacion Gjermaninë, sipas Gjokës i ka penalizuar eksportuesit e ndershëm.
“Një kompani që operon prej 30 vitesh në treg asnjëherë nuk rrezikon të trafikojë lëndë narkotike. Nuk jemi kundër kontrollit të kamionëve, por jemi të shqetësuar për vonesat dhe kostot e larta që po paguajmë. Në Malin e Zi nuk ka skaner prandaj pas kësaj ngjarje nga pala e Malit të Zi u vendos që asnjë kamion që eksporton bimë mjekësore të mos kalojë kufirin pa kryer skanimin.
Eksportuesve u nxirret gjithë malli në tokë duke u konsideruar si trafikantë droge, plus ka edhe kosto shtesë prej 400-600 euro kur dogana bën kotrollet rutinë”, thotë ai për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.