Në mandatin e dytë si president, pasuria e familjes së Donald Trump u ndikua dhe nga kriptomonedhat. Tashmë, Trump dhe ndjekësit e tij po përjetojnë rënien e fortë të këtij tregu.
Vlera e një memecoin me markën Trump ka rënë me rreth një të katërtën që nga gushti. Pjesa e Eric Trump në një ndërmarrje të minierave që prodhohet Bitcoin ka humbur afërsisht gjysmën e vlerës nga kulmi i saj. Ndërkohë, aksionet e kompanisë së rrjeteve sociale të Trump, e cila këtë vit filloi të grumbullojë Bitcoin, po qarkullojnë pranë minimumit historik.
Kjo rënie është pjesë e një goditjeje të gjerë të tregut që ka fshirë mbi 1 trilion dollarë nga vlera e aseteve digjitale. Pasuria e familjes Trump ka zbritur në rreth 6.7 miliardë dollarë nga 7.7 miliardë në fillim të shtatorit, sipas Bloomberg Billionaires Index, një rënie kryesisht e lidhur me ekspozimin gjithnjë e më të madh të tyre në projektet kripto.
Këto zotërime përfshijnë marrëveshje komplekse që shkojnë përtej bastit të drejtpërdrejtë mbi çmimet e kriptomonedhave. Investitorët e zakonshëm, të cilët tashmë kanë më shumë mënyra se kurrë për të investuar në projekte të lidhura me Trump, rrezikojnë humbje të mëdha. Çdokush që ka blerë memecoin-in e Trump në kulmin e tij, pas njoftimit të fundjavës së inaugurimit, deri tani do të kishte humbur pothuajse të gjithë investimin.
Eric Trump, djali i dytë i presidentit, thotë se mbetet i patundur. Ai ka inkurajuar vazhdimisht investitorët të “dyfishojnë” pozicionet, edhe gjatë rënieve të tregut kripto.
“Çfarë mundësie e shkëlqyer blerjeje,” tha ai në një deklaratë për Bloomberg News. “Njerëzit që blejnë gjatë rënieve dhe përqafojnë luhatjet do të jenë fituesit përfundimtarë. Nuk kam qenë kurrë më optimist për të ardhmen e kriptomonedhave dhe modernizimin e sistemit financiar.”
Është e vërtetë që, që nga krijimi në vitin 2009, Bitcoin ka kaluar disa rënie të thella, vetëm për t’u ngjitur edhe më lart me kalimin e kohës. Por familja Trump ka një “jastëk sigurie”: edhe pse zotërojnë kripto dhe aksione të kompanive të lidhura me kripton që po humbasin vlerë, ata fitojnë para në mënyra të tjera përmes përfshirjes së tyre në industri.
Për shembull platformën kripto që ata bashkëthemeluan, World Liberty Financial edhe pse vlera në letër e kriptove të tyre ka rënë, ata janë sërish të autorizuar të marrin një pjesë të të ardhurave nga shitja e monedhës pavarësisht çmimit.
“Investitorët e vegjël mund të vetëm të spekulojnë,” tha Jim Angel, profesor finance në Georgetoën University. “Trumpët jo vetëm që mund të spekulojnë; ata mund të krijojnë tokenë, t’i shesin dhe të fitojnë para nga këto transaksione.”
Trump Media: Humbje prej 800 milionë dollarësh
Aksionet e Trump Media & Technology Group Corp., kompania mëmë e Truth Social, ranë në një minimum rekord të mërkurën. Një pjesë e rënies lidhet me lëvizjen e keq-koordinuar të kompanisë drejt kriptos.
Vlera e pjesës së presidentit ka rënë me rreth 800 milionë dollarë që nga shtatori. Ai është aksioneri më i madh i firmës, me pjesën e tij të mbajtur në një fond besimi të administruar nga djali i tij i madh, Donald Trump Jr.
Kompania, e cila operon me humbje, bleu rreth 11,500 Bitcoin për rreth 2 miliardë dollarë, me një çmim mesatar prej rreth 115,000 dollarësh, duke regjistruar humbje rreth 25%.
Ajo gjithashtu ka grumbulluar token-in CRO, i emetuar nga Crypto.com, i cili ka humbur rreth gjysmën e vlerës që nga shtatori.
World Liberty Financial: Rreth 3 miliardë dollarë humbje në vlerë në letër
Token-i zyrtar WLFI ka rënë nga 26 cent në rreth 15 cent. Familja Trump zotëron një sasi të madhe WLFI, e cila në kulm vlente rreth 6 miliardë dollarë, ndërsa sot vlen rreth 3.15 miliardë.
Në gusht, kompania shiti një pjesë të tokenëve te korporata Alt5 Sigma, duke siguruar 750 milionë dollarë në para dhe aksione — një marrëveshje e leverdishme për Trumpët, edhe pse aksionerët e Alt5 pësuan rënie prej 75%.
Në total, familja ka përfituar rreth 900 milionë dollarë nga shitjet e tokenëve ËLFI.
American Bitcoin: Të paktën 330 milionë dollarë humbje
Eric dhe Donald Trump Jr. krijuan kompaninë American Bitcoin Corp. së bashku me Hut 8 Corp. Eric zotëron rreth 7.5%.
Aksionet u rritën në 9.31 dollarë në shtator, duke e çuar pjesën e Eric në rreth 630 milionë dollarë, por tani kanë rënë mbi gjysmën, duke zhdukur më shumë se 300 milionë nga pasuria familjare.
Trump Memecoin: Gati 120 milionë dollarë humbje, por 220 milionë dollarë tokenë të rinj të çliruar
Memecoin-i i Trump ka humbur rreth 25% të vlerës që nga fundi i gushtit. Familja zotëron një pjesë të madhe të tokenëve.
Tokenët e tyre vlejnë rreth 310 milionë dollarë, një rënie prej 117 milionë. Megjithatë, prej korrikut janë “çliruar” edhe 90 milionë kripto të tjerë, me vlerë 220 milionë dollarë, nga të cilët rreth 40% i takojnë familjes Trump duke rritur numrin total të zotërimeve.
Nuk dihet nëse familja ka shitur kriptomonedha që nga korriku./Boomberg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



