Futboll

Rënia e Flamurtarit, Sokol Kushta: Problem gjithë sistemi i futbollit

Radhën të provojë shijen e hidhur të Kategorisë së Parë e ka Flamurtari, një nga skuadrat emblematike të futbollit shqiptar. Pas Tiranës dhe Vllaznisë vitet e fundit, edhe vlonjatët bien nga Superiorja, për herë të dytë në vitet e demokracisë. Nuk është fundi i botës, siç deklaron një nga legjendat e Flamurtarit, Sokol Kushta, por një shkollë e munguar në nivelin më të lartë të futbollit, është gjithmonë një humbje e madhe.

Për Gazetën “Si“, ish-sulmuesi i madh i Flamurtarit edhe Kombëtares, bën një analizë të thellë të situatës, sigurisht, duke u fokusuar te Flamurtari, por “hallet” e tij janë edhe të gjithë futbollit shqiptar, për shkak të sistemit që duhet të ndryshojë në të gjithë komponentët. Kushta pohon se faji është i të gjithëve dhe apelon për miratimin e ligjit për sportin, sepse, sipas tij, e keqja nuk ka fund.

Sokol Kushta dhe presidenti Ilir Meta. Gazeta Si, 8 qershor 2020

“Situata është shumë e rëndë, nuk është normale që Flamurtari të bjerë nga kategoria, megjithatë nuk është edhe fundi i botës. Ka rënë edhe 17 nëntori (Tirana), ka rënë edhe Vllaznia, edhe Flamurtari vetë në 2004-ën, gjithmonë në demokraci, asnjëherë nuk ka rënë kur ka qenë sistemi tamam. Që të vësh gishtin te një person, do ta quaja gabim. Gabimi është i të gjithëve, që nga ne të parët, nga bashkia, nga sponsori, jo nga presidenti, nuk ka president Flamurtari”, – thekson fillimisht ish-sulmuesi i njohur.

Problem i gjithë sistemi, shteti përgjegjës
Kushta shpjegon për Gazeta “Si” pse gjithçka fillon nga shteti: “Pse shteti? Shteti, sepse ligjin nuk e bën dot lagjja, e bën shteti, parlamenti. Një shtet funksionon sipas ligjeve, ndërsa në futbollin shqiptar nuk ka ligje. Futbolli te ne nuk funksionon në bazë të ligjeve, siç e ka bota. Nesër t’i do të blesh 2 aksione: ku do t’i blesh, si do t’i blesh, çfarë do blesh? Sinani (administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi) ka hedhur shumë lekë te Flamurtari, kjo nuk ka diskutim. Por ka pasur keqadministrim, keqmenaxhim, janë të gjithë keq, keq, keq.

Kur e mori ekipin, duhej të dinte borxhet, sa ishin borxhet. Janë ca gjëra që nuk i ka ai në dorë. Bashkia duhej të ishte më kompetente për një arsye: ajo është e lumtur që nuk ka harxhuar nga buxheti i saj, por marrëveshja mes palëve nuk mund të bëhet me Shpëtim Gjikën. Nuk mund të bësh një marrëveshje të tillë, sepse nuk është e shtëpisë, por është e Vlorës. Ai ishte kryetari i bashkisë së Vlorës dhe bashkëpunimi bëhet mes institucioneve. Bashkia ka bibliotekën, ka muzeumin etj., ka edhe stadiumin “Flamurtari”. U bë një marrëveshje me Sinanin që ishte një sponsor dhe ndodhën të gjitha këto, por çfarë iku, iku.

Sokol Kushta dhe Geri Lineker para ndeshjes historike Flamurtari-Barcelona. Gazeta Si, 8 qershor 2020

Edhe unë sot, po të isha kryetar bashkie, do të isha i lumtur, nëse do të gjeja një “budalla” që të hidhte 6-7 milionë euro. Të gjitha këto euro bashkia më parë i ka harxhaur, por nëse ky bulevardi i Vlorës ka kushtuar 7 milionë euro, u bë një bulevard që i shërben gjithë popullit të Vlorës. Por ai “budallai” tani duhet të vërë disa gjëra në vijë, sepse jeta ecën. E keqja nuk ka fund, kemi Dinamon dhe Elbasanin, që nuk kanë ku venë më poshtë.

Tani çështja është si do të rregullohet kjo e keqe. Ndoshta nga tërmeti apo pandemia, ligji mbeti pa firmosur, sepse ka qenë për t’u firmosur. Çdo gjë është amatore, që nga funksionimi i klubeve. Këtu një njeri jep lekët, bashkia jep ku e di unë çfarë, një tjetër është president, nuk merret vesh asgjë. Bashkia jep 500 milionë lekë dhe në televizor del një president që jep 100 milionë lekë. Ka çudira plot. Thonë që dikush po jep lekë, por nuk e vuri njeri me detyrim të japë lekë! Duan të japin lekë, logjikisht.

Përderisa Ministria e Ekonomisë nuk ka nxjerrë ligj, nuk e di çfarë aksionesh ka shitur Tirana, për shembull. Mund të rregullohet me një akt të brendshëm, që x lekë të përbëjnë 50% apo 60% të aksioneve, kur të dalin aksionet. Kam propozuar në këshill bashkiak për një akt rregullues të brendshëm dhe të firmoset nga këshilli sa të dalë ligji në parlament, që një biznesmen të hedhë x lekë, presupozojmë që janë x aksione. T’i njihen, kur të dalë ligji.

Nuk duhet të funksionojë futbolli ynë me një president, sepse bëhemi si Enver Hoxha, por maxhoranca të jetë me 30%, që të mos kemi monopol dhe presidenti të jetë pasha. Këtu kemi presidentë pashallarë me 100 milionë lekë. Nuk mund të qëndrojë që në një futboll kaq të rrënuar sa i joni të ketë rroga nga 10 mijë euro në muaj. Kam luajtur në Greqi dhe jam paguar nga ata që më vlerësuan, por këtu, për mendimin tim, duhet të ishte një futboll si ai i Qipros. Sepse ne jemi interesantë, kur bëjmë krahasime, i bëjmë me Milanin, me Liverpulin dhe Realin, pastaj themi: Epo në Shqipëri jemi.

Kam thënë që futbolli ynë të jetë gjysmëprofesionist. Të jetë i angazhuar me moshat, siç e ka Kroacia, që është goxha futboll, të jetë i adresuar te shitja e lojtarëve, te fidanishtet. Kurse këtu nuk ka, dalin lojtarë nga fidanishtet 18-19 vjeç dhe pastaj kalben. Puna është shumë e dobët, nuk ka një sistem. Mua më dhemb Flamurtari, patjetër, por e rëndësishme është të kuptojmë çfarë duhet bërë që t’i ikim së keqes. Nesër Sinani ikën, a e di kryetari i bashkisë çfarë pagesash i ngelen? Ai nuk e ka idenë për momentin, por duhet të pyesë. I kam thënë se futbolli ëhstë një gropë e madhe, ai duhet ta trajtojë si një ndërmarrje të tij, siç është ujësjellësi i qytetit.

Tani do ta kuptojë, sepse ikën sponsori, i mbaron kontrata. Nuk besoj se Sinani bën më kontratë si sponsor. Shumicat e kontratave janë të firmosura nga bashkia, sepse është ndërmarrje e bashkisë ore zotëri. Nesër do të vijnë borxhlinjtë do të kërkojnë lekët te bashkia, jo te Sinani, ai nuk ka një pronë. Jemi në kapitalizëm, që ka shumë gjëra që në Shqipëri nuk kuptohen, që nga kontratat, pagesat e me ardhë. Nuk ka asnjë pronë. Nesër do shkosh në bankë të marrësh një kredi, po si do vesh, do vësh pallatin e një tjetri dhe kredinë e merr ti? Pra, problem është çfarë do të bëhet, jo se ra ekipi sot.

Mund të bëhet kampionati me 14 ekipe, që se s’bën duhet bërë për mua. Kampionati shqiptar, duke qenë shumë i korruptuar, në nivel të dobët, duhet të ndryshojë. Nuk mund të luash 4 herë me një tjetër: ti edhe një shok, nëse e sheh katër herë tërë ditën, ditën tjetër nuk i flet… Kemi modele plot, Spanjën, Italinë. Ne duhet të rrisim nivelin, janë disa gjëra të lidhura, që ne i lidhim vetëm te futbolli. Ta lëmë Austrinë, Zvicrën. Prandaj them, ti si shtet, nxirre atë dreq ligji, lëri biznesmenët e ndershëm të investojnë, mblidh tvsh-në e tyre.

Kosova ka hedhur një hap të rëndësishëm përpara nesh. Çfarë ka Kosova më shumë? Thjesh ka dy njerëz që mendojnë më shumë se ne për sportin, për futbollin. Ligji për sportin nuk është vetëm për futbollin, sepse ai që ka lekë do të sponsorizojë edhe për sporte të tjera. Nuk është vetëm futbolli qendra e botës, kemi pasur volejbollin , basketbollin notin, sporte të reja si tenisi. Është i njëjti ligj, dhe rregullator duhet të jetë shteti”.

Sokol Kushta dhe ish-trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi. Gazeta Si, 8 qershor 2020

Përgjegjësitë e Federatës, Ligës, Sindikatës
Mjeshtri i madh vlonjat shpjegon edhe përgjegjësitë e Federatës Shqiptare të Futbollit për situatën aktuale, të Ligës Profesioniste dhe Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë. Sokol Kushta prek dhe temën e kontratave, që e njeh mire, pasi është i pari futbollist shqiptar që ka firmosur një kontratë profesioniste. “Federata duhet ta shikojë kampionatin, jo se ra Flamurtari, por si sistem, a është i vlefshëm, duhen 12, 14 apo 16 ekipe. Duhet të shikojë fushat, pagesat, pastaj duhet të fillojë kampionati. Kështu funksionon. Ti shkon në supermarket me 20 mijë lekë në xhep dhe bën pazar 40 mijë lekë, por nuk të lë njeri. Nuk bëhet. Pse duhet të blesh 10 lojtarë me vlera që nuk dihen sa janë, pasi tjetër shifër thuhet dhe tjetër del në gjyq.

Janë shumë çështje, çështje më vete janë moshat, çështje më vete presidentët, sektori i futbollit profesionist, i arbitrimit. Liga Profesioniste, e drejtuar nga Edvin Libohova, çfarë është? Nuk e di çfarë presidenti është ai… Ai është burrë zotëri, por po të isha në vend të tij, do të kisha dhënë dorëheqjen, sepse këtu nuk ka futboll profesionist.

Arbitrat nuk duhet të jenë funksionarë të dirigjuar nga Federata, të jenë mënjanë. Nëse t’i paguhesh nga ai që të mbam, nuk mund të quhesh i pavaruar. Nuk hyj në ndërgjegjen dhe ndershmërinë e tyre dhe nuk e di se çfarë mund t’i bënte një penallti Flamurtarit, por gjykoj që mund të jetë ndikuar edhe nga ajo. Pra, e përsëris, është një sistem i tërë që çalon. Ra Flamurtari, do të ringrihet, seps eashensor është jeta, por çështja është se çfarë do të bëhet? Ky sistem, si do të rregullohet? Sa lojtarë janë pa paguar? Kush po merret me këtë pjesë? Sektori i garave duhet të merret me këtë punë, sepse kontratat shkojnë aty. Federata është një rregullator dhe nëse një klub ka 50 milionë lekë buxhet, si mund të bëjë 70 milionë lekë blerje?

Është edhe tjetra, Sindikata e Futbollistëve… Nuk mund të jetë ajo palë me Federatën, është çmenduri kjo që ndodh. Nuk e di nga e merr buxhetin ajo dhe sa e ka buxhetin, nuk e di çfarë bordi ka. Nëse je në krah të futbollistëve dhe nuk u del atyre në mbështetje, atëherë…

Duhet të jemi të gjithë bashkë për ndryshimin. Kemi mbetur tek ajo shprehja e futbollit elitar, por nga ekipet elitare 60% ose më shumë janë në ligën e dytë (Kategoria e Parë). Nuk janë në elite Elbasani, Dinamo, Lushnja, Fieri, Kavaja, Lezha, ranë edhe Vlora dhe Gjirokastra. Kur ishte Tirana, ishte edhe më keq. A e kuptoni në çfarë katandije jemi? Ne themi Flamurtari rad he do mbushen gazetat, do goditet Sinani, por duhet ta dime sa faj ka ai realisht që të goditet.

Nuk është vonë të rregullohen gjërat, por nuk po shoh gjë që ta përmirësojë situatën. Dua të di çfarë pozicioni do të ketë bashkia e Vlorës në raport me Flamurtarin. Ata nuk e dinë akoma se në çfarë ngërçi janë, tani do ta kuptojnë. Kanë thënë se Flamurtari duhet të vejë atje ku i takon kur erdhën, por ja që ekipi shkoi atje ku s’i takon. Të gjithë jemi përgjegjës dhe tani duhet të rregullojmë sistemin”, – ka përfunduar Kushta për Gazeta Si.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë