Nga Gazeta ‘SI’ – Borxhi publik i Shqipërisë ra në 55.8% të PBB-së në fund të marsit 2024, nga rreth 58% që ishte në fund të vitit 2023. Në vlera nominale, borxhi i Shqipërisë në 2024-n raportohet 1.35 triliardë lekë, ndërsa PBB-ja, 2.43 triliardë lekë.
Sipas të dhënave të ministrisë së Financave, 30.4% e këtij borxhi është i brendshëm dhe 25.3% i jashtëm.

Ndonëse borxhi është në rënie dhe PBB-ja në rritje, MF, vlerëson në rritje risqet e borxhit publik. Risku i rifinancimit, që lidhet me kohën e maturimit të borxhit dhe detyrimin e shlyerjes, është rritur me 0.5 p.p dhe vlerësohet me 45.2%.
1.14 triliardë lekë të borxhit janë me maturim afatgjatë, pra me një kohë shlyerje më të gjatë.
Risku i normave të interesit është shtuar me 0.5 p.p dhe qëndron në 45.8%, ndërsa risku i kursit të këmbimit është ulur lehtë nga 45.6% në 45.5%.
MF tregon se më shumë se gjysma e borxhit është me interesa fikse. Interesat për borxhin e brendshëm llogariten sa 0.55% e PBB-së, ndërsa të borxhit të jashtëm, sa 0.13% e PBB-së.
Lidhur me kursin e këmbimit, 76.62% e borxhit të jashtëm është në monedhën euro, 10% në dollarë.

Më herët gjatë vitit, Banka e Shqipërisë tha se një pjesë e rënies së borxhit i atribuohet zhvlerësimit të euros. Në një vit monedha europiane është zhvlerësuar me mbi 20% kundrejt lekut. Ndërkohë, disa nga ekspertët financiarë në vend, mbështesnin tezën se dobësimi i kursit të këmbimit ishte “dirigjuar”, pikërisht për këtë arsye, zhvlerësimin e borxhit publik, duke favorizuar kështu qeverinë.
Në fund të tremujorit të tretë 2023, borxhi publik kapi vlerën më të lartë në 10 vite, 1.4 triliardë lekë. Më pas, paralel me kursin e këmbimit, borxhi publik ra.
Në Kuadrin e rishikuar Makroekonomik e Fiskal për periudhën 2025-2027, parashikohet një reduktim i borxhit publik në 55.2% në vitin 2027.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.