Treg

Rënia e euros tkurri ndjeshëm eksportet në prill

Nga Gazeta ‘Si’-Eksportet kanë shënuar rënie të ndjeshme në muajin prill duke arritur vlerën e 34 miliardë lekëve.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë, ata janë ulur me 19.3% ndërsa krahasuar me marsin, janë tkurrur me 19.2%.

Për katër muajt e parë të vitit, eksportet e mallrave arritën vlerën 156 mld lekë, duke u ulur me 3.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Duke qenë se Shqipëria kryen pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare me vendet e Eurozonës, sipas INSTAT, zhvlerësimi i euros ka ndikuar në volumin tregtar, krahasuar me një vit më parë.

“Gjithashtu, rënia e çmimeve në tregjet botërore të produkteve, që kanë impakt në volumin tregtar, ka ndikuar në treguesit e eksport/importit për muajin prill 2023 krahasuar me vitin e shkuar”, thekson INSTAT në njoftim.

Ashtu si në mars, grupet më të mëdha po shfaqin ecuri të dobët.

Gjatë prillit, në uljen e eksporteve kanë ndikuar negativisht grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me 10.2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 4.6 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me 3.8 pikë përqindje.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “Ushqime, pije, duhan” me 0.2 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” gjithashtu me 0.2 pikë përqindje.

Industria automotive, me rënie, pas rritjes së lartë

Eksportet e “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin deri në muajin mars grupi që po shënonte ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive. Por, në prill, edhe ky grup shënoi rënie të eksporteve me 5.9% me bazë vjetore, duke u ndikuar nga zhvlerësimi i euros.

Gjithsesi, për 4 mujorin, ky grup u zgjerua me 14.4%, duke dhënë ndikimin më pozitiv në eksportet total, së bashku me ushqimet, pijet e duhanin.

Thellohet deficiti tregtar

Importet e mallrave arritën vlerën 75 mld lekë, duke u ulur me 3.9 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 7.1 % krahasuar me marsin e këtij viti.

Deficiti tregtar në prill është 41 miliard lekë, duke u rritur me 14.1 %, krahasuar me prillin e vitit të shkuar dhe me 6.4% krahasuar me marsin.

Ndërsa për 4-mujorin deficiti tregtar arriti vlerën 127 miliard lekë, duke u rritur me 2.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit.

Ulen eksportet drejt Italisë, Gjermanisë, e Kinës

Në prill vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me prillin e 2022-shit janë: Italia (16.7%), Gjermania (48.2%) dhe Kina (59.9%).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Greqia (5.9%), Kosova (6.1%) dhe Spanja (285.2%).

Vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve në prill janë: Italia(0.2%), Turqia (42.4%) dhe Greqi (14.8%).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë: Kina (44.0%), Gjermani (8.8%) dhe SHBA (161.5%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë