Para

Rënia e euros, bizneset e eksportit drejt falimentimit!

A ka ndikuar strategjia e Bankës së Shqipërisë për deuroizimin e ekonomisë në rënien e eruos? Janë faktorë të jashtëm a të brendshëm që kanë bërë që euro në muajt e fundit të ketë një rënie historike si kurrë më parë? A ekziston ndonjë  prapaskenë pas këtij fenomeni, apo duhet të besojmë se ka shumë euro në treg? Kush e vuan rënien e euros?

Profesori i Ekonomisë Ardian Civici beson se nuk ka prapaskena dhe jep arsyet pse euro po pëson rënie të vazhdueshme në tregun shqiptar.

Sipas tij, bizneset që merren me transport rrezikojnë falimentin në këtë situate, prandaj sipas tij institucionet kopetente duhet të ndërhyjnë.

U bënë muaj që euro është në pikiatë, cilët janë faktorët e rënies së euros?

Analizat komplekse të Bankës së Shqipërisë, të institucioneve të tjera të specializuara në cështjet monetare, si dhe opinionet e mjaft ekonomistëve e akademikëve janë pothuajse në unison se shkaku kryesor i rënies së euros në raport me lekun në tregun monetar shqiptar lidhet ngushtë me disponibilitetin shumë të madh të euros në treg. Vetëm duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë bëhet fjalë për 300 – 400 milion euro më shumë prezente në treg një pjesë e të cilave nga IHD, remitancat dhe eksportet. Besoj se në realitet mund të jenë dhe 100 apo 150 milion euro më shumë po të kemi parasysh tregun informal dhe faktin se një pjesë e eurove të hedhura në treg mund të kenë origjinë tërësisht informale, ekonomia e zezë dhe spekullimi. Prishja e raportit apo ekuilibrit të vendosur relativisht të qëndrueshëm euro/lek ka shkaktuar rënien e euros në nivele minimale historike të viteve të fundit, ndërkohë që kreditë në euro të dhëna nga bankat tregtare nuk vlerësohet se kanë patur efekt në devijimin e kursit të këmbimit. Në këtë formë dhe me këtë intensitet, një fenomen i tillë ndodh për herë të parë në tregun monetar shqiptar duke i gjetur të papërgatitur si institucionet monetare ashtu dhe aktorët ekonomikë.

Si e kuptojmë kur rënia vjen nga faktorë të jashtëm dhe kur vjen nga faktorë të brendshëm?

Së pari, euro është monedhë ndërkombëtare dhe cdo ditë kuotohet në bursat ndërkombëtare. Rënia apo forcimi i saj reflektohet në rradhë të parë në kursin e këmbimit me dollarin ameriakn, paundin britanik, yen-in japonez, yuan rembimbin kinez, rublën ruse, etj., dhe pastaj kursi i saj reflektohet edhe në tregjet valutore të monedhave të tjera të tjera, sic është dhe rasti i lekut. Parë në këtë këndvështrim, euro nuk ka pësuar rënie apo luhatje të forta në këta muajt e fundit, dhe për pasojë nuk ka se cfarë të reflektohet në tregun monetar shqiptar.

Së dyti, me politikën e saj monetare, Banka Qëndrore Europiane ndikon në forcimin apo dobësimin e euros në funksion të objektivave të saj në raport me eurozonën. Edhe nga kjo pikëpamje, në 6 apo 9 muajt e fundit nuk ka veprime të dukshme nga BQE për dobësimin e euros, dhe për pasojë, nuk ka se cfarë të reflektohet në tregun shqiptar.

Së treti, euro ndikohet në forcën apo dobësinë e saj edhe nga ecuria e treguesve me natyrë makroekonomike të eurozonës si inflacioni, deficit buxhetor, borxhet sovrane, rritja ekonomike, bilanci i pagesave dhe ai tregëtar, etj. Gjatë muajve të fundit jo vetëm që nuk ka patur përkeqësim të këtyre treguesve në eurozonë, por përkundrazi disa prej tyre janë përmirësuar, për pasojë, në tregun valuator shqiptar nuk ka ardhur asnjë ndikim negativ në vlerën e euros në raport me lekun.

"E rëndësishme është që ky fenomen mos ti lihet rastësisë dhe kapricove të tregut monetar por të ndiqet me kujdes dhe të ndërhyhet kur është e mundur, në mënyrë që pasojat e tij të mos agravohen, vecanërisht në industrinë fason apo eksportuesit e vegjël." Ardian Civici

Sa ka ndikuar në këtë fenomen shpallja e deuroizimit nga Banka e Shqipërisë?

Ndoshta rastësisht politika e deurizimit e shpalluar nga Banka e Shqipërisë koincidoi me periudhën e bollëkut të eurove në treg duke e thelluar akoma më shumë rënien e kursit të këmbimit të euros në raport me lekun. Në kushte normale, deuroizimi mund të kalonte më butë në sensin që do korrigjonte disi kursin e këmbimit, do përmirësonte raportin e përdorimit të euros dhe lekut në Shqipëri, do ti jepte më shumë frymëmarrje politikës sonë monetare, por nuk do ndikonte direkt e në afat shkurtër në uljen drastike të vlerës së euros.

Mendoj se në disa raste deurizimi u keqkuptua dhe u keqinterpretua nga aktorë të ndryshëm ekonomikë. Ky faktor e thelloi akoma më shumë ndikimin e tij në uljen e vlerës së euros në treg. Nga BSH kërkohej një komunikim më i plotë, më i gjatë dhë më transparent me publikun për shpjegimin e politikës së deurizimit, për të cilën duhet thënë se ka qenë një rekomandim i hershëm i FMN si pasojë e niveleve tejet të larta të prezencës dhe përdorimit të euros në Shqipëri. Politika deuroizimi ka bërë dhe Serbia, Maqedonia, etj.

Kush e pëson më shumë rënien e euros në vend?

Ndikimet janë negative dhe pozitive. Më negativisht nga rënia e vlerës së euros po ndikon në ato sektorë apo degë të ekonomisë që punojnë për eksport. Meqënëse shumica e shpenzimeve të tyre janë në lek, të ardhurat më të pakta të tyre si pasojë e uljes së vlerës së euros po ju shkaktojnë probleme serioze në përballimin e kostove të prodhimit, pagave, tatimeve, etj. Nëse kjo situatë vazhdon për një kohë të gjatë, një pjesë e këtyre bizneseve rrezikojnë falimentimin. Negativisht rënia e euros ndikon edhe në vlerën e depozitave në euro në sistemin bankar, vlerën e kolateraleve të lëna për marrjen e kredive, të ardhurat e bizneseve që shesin në euro, etj.

Por, rënia e euros ka dhe efekte pozitive. Në rradhë të parë për importuesit nga zona euro të cilët përballen me cmime më të ulta për importet e tyre duke rritur fitimet e tyre. Teorikisht një fenomen i tillë duhej të shoqërohej me ulje të disa cmimeve të mallrave të importit në tregun shqiptar, por një gjë e tillë nuk konstatohet të ketë ndodhur; së dyti, efekte pozitive ka te një masë e madhe kreditorësh që e kanë kredinë në euro por që të ardhurat kryesore i kanë në lekë, të cilët mund ta blenë më lirë euron për shlyerjen e kësteve të kredisë duke ndikuar kështu direkt dhe indirekt në uljen e kredive të këqia; efekte pozitive, megjithëse minimale, ka edhe madhësia e borxhit publik e cila ulet në raport me uljen e vlerës së euros, natyrisht për pjesën e saj në euro, etj.

Si duhet vepruar?

Një ndërhyrje direkte në tregun monetar nga ana e BSH apo Ministrisë së Financave do ishte shumë e vështirë ose thujase e pamundur, aq më tepër që Shqipëria që në vitin 1992 ka adoptuar rregjimin e këmbimit të lirë të monedhave në treg dhe BSH nuk ka objektiv stabilizimin e kursit të këmbimit. Ndërsa disa ndërhyrje indirekte, sidomos në favor të bizneseve më të prekura, mund të realizohen: lehtësira proceduriale e fiskale, kompesime indirekte, negocim për shtyrjen në kohë apo ristrukturim të disa lloj detyrimeve që lidhen direkt me efektet e rënies së vlerës së euros, etj. Një masë tjetër indirekte mund të ishte dhe shtimi i sasisë së lekut në qarkullim për të ballancuar disi raportin kërkesë ofertë në treg. E rëndësishme është që ky fenomen mos ti lihet rastësisë dhe kapricove të tregut monetar por të ndiqet me kujdes dhe të ndërhyhet kur është e mundur, në mënyrë që pasojat e tij të mos agravohen, vecanërisht në industrinë fason apo eksportuesit e vegjël.

Si i parashikoni muajt në vijim?

Mendoj se kjo situatë, me ndonjë luhatje të vogël, do vazhdojë të jetë prezente edhe në muajt në vazhdim, të cilët, si pasojë e sezonit turistik që dominohet nga turistë që përdorin euron, do ta shtojnë Akoma më shumë prezencën e euros në treg. Kursi i këmbimit është vështirë të parashikohet, por në një formë të përgjithshme, si tendencë për 4-5 muajt e ardhshëm vlerësoj se do përballemi me një kurs këmbimi euro/lek në intervalin 126 – 129 lek/euro.

Intervistoi: Sabina Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë