Reshjet e dendura kanë sjellë përkeqësim të situatës së përmbytjeve në bashkinë e Shkodrës, e Forcat e Armatosura kanë shtuar praninë në terren për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur për të përballuar situatën.
Të dhënat nga Forcat e Armatosura bëjnë me dije se janë evakuar 2 familje në lagjen “Iliria” të qytetit të Shkodrës, të cilat u strehuan në konviktin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Më tej thuhet se mjetet evakuuan rreth 150 krerë bagëti e imët nga lagjja e njohur si Livadhet pranë bregut të liqenit në qytetin e Shkodrës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se në njësinë administrative Dajç, trupat evakuuan rreth 2000 shpendë nga një fermë private, për t’i dërguar në fshatin Shirq.
Ndërkaq, Agjrncia njofton se në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit vijon transporti i banorëve për nevojat e tyre të përditshme nëpërmjet mjeteve lundruese të batalionit të mbështetjes rajonale dhe mjeteve të kalueshmërisë së lartë.
“Në gjithë qarkun e Shkodrës janë 5030 ha sipërfaqe totale e përmbytur, ndërkohë që ka prani të ujit në disa banesa në lagjet e qytetit dhe në njësitë Ana e Malit dhe Dajç,”thuhet më tej në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



