Duke filluar nga muaji qershor, për të vijuar me korrikun dhe deri në fund të gushtit, Bashkia e Tiranës ka vendosur heqjen e aboneve të përgjithshme.
Qytetarët nuk janë njohur ende me vendimin që pritet të marrë “OK”-in të hënën në Këshillin Bashkiak, në datën 31 maj, i cili nëse kalon, do të nisë zbatimin menjëherë një ditë më pas (1 qershor).
Vendimi pritet të merret pas lehtësimit të masave në lidhje me pandeminë Covid 19, me shërbimin urban që do të rikthehet me kapacitet të plotë.
Bëhet fjalë për një riorganizim në shërbimin e transportit publik, që nga itinerari, frekuencat e lëvizjes, kushtet e shërbimit dhe të tjera, ku në terren do të studiohet dhe analizohet situata, me qëllim ristrukturimin e linjave si dhe rishpërndarjen e volumeve të udhëtarëve.
Me një abone 1600 lekëshe, çdo qytetar mund të udhëtonte në të gjitha linjat urbane të kryeqytetit. Por me vendimin e ri që pritet të merret, për të marrë shërbim në dy linja të ndryshme, mund t’i nevojiten dy të tilla, në vlerat e 1200 lekëve, ose 40 lekë për çdo udhëtim me urban.
Pra, duke filluar që nga muaji që vjen, parashikohet të jenë në qarkullim vetëm abonetë e linjave. Që do të thotë që për çdo linjë, qytetarët duhet të jenë të pajisur me një abone më vete.
Nëse do të miratohej, ky do të ishte një vendim që rëndon më shumë ata që udhëtojnë dhe shkojnë çdo ditë për në punë të detyruar të përdorin linjat urbane.
Në relacionin e Këshillit Bashkiak, bëhet e ditur se për të riorganizuar shërbimin e transportit publik, duhet të studiohen paraprakisht volumet e udhëtimit, për të cilën operatorët e transportit urban thonë se janë në nivelet minimale
“Me qëllim përshtatjen e strukturës së udhëtimit me volumet e reja të udhëtimit si dhe vendimet që do të lidhen me itineraret e linjave, frekuencat, kushtet e shërbimit, gjatë periudhës së kryerjes së plotë të shërbimit, lind nevoja e heqjes së biletës së përdorimit mujor të përgjithshme (abone e përgjithshme), për një periudhë tremujore, pasi kjo periudhë do të shërbejë që nëpërmjet vijimit të matjeve në terren, të studiohet dhe analizohet situata me të gjithë impaktet, me qëllim ristrukturimin e linjave në itinerare, frekuenca, kushte shërbimi si dhe rishpërndarjen e volumeve të udhëtarëve”, – thuhet në projektvendim, i cili iu propozon 61 anëtarëve të këshillit miratimin e tij.
Një kosto tjetër shtesë, e cila pa dyshim do të rëndojë gjithmonë e më shumë xhepat e qytetarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.