IFFHS ka publikuar renditjen e ekipeve më të mira të futbollit të vitit kalendarik 2020. Organi i cili merret me statistika dhe rekorde (individuale dhe të tjera) në lidhje me historinë e futbollit në garat e organizuara nga FIFA, ka vendosur që për vitin e kaluar, kampionati më i mirë të jetë ai italian.
Seria A italiane, ngjitet në “çatinë e botës”, pas plot 14 vitesh, duke fituar titullin e kampionatit më të mirë në botë për vitin 2020-të, sipas Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS). Sipas këtij organizmi, viti 2020 ka qenë tepër pozitiv për kampionatin italian për sa u përket statistikave, pavarësisht se asnjë nga skuadrat italiane nuk arriti të fitonte tituj ndërkombëtarë.
Seria A ka mposhtur konkurrencën e Premier Ligës, kampionatit brazilian, La Ligës dhe Bundesligës. Ndërkohë një progres pozitiv ka bërë edhe Kategoria Superiore, duke u ngjitur plotë 28 vende në renditjen e përgjithshme botërore. Kampionati elitar shqiptar mban vendin e 41-të me 305 pikë, ndërkohë që në vitin 2019 renditej në vendin e 69-të. Në këtë renditje ka ndikuar fakti se shumë liga dhanë verdiktet në tavolinë sezonin që kaloi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.