Para

Remitancat, Qeveria ironi me të varfërit: Bëhuni biznesmenë

Sabina Veizaj - Qeveria strategji për të sjellë remitancat në rrugë zyrtare të taksueshme dhe kanalizimin e tyre në investime.

Aspiratat dhe mundësia reale e shqiptarëve për t’iu larguar kufirit ka sjellë edhe rigjallërimin e remitancave hyrëse.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2017 kanë hyrë në Shqipëri 637 mln euro nga 547 mln në vitin 2013 prej emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve.

Por përpos të mirave që ky fluks parash sjellë për familjet kryesisht në nevojë, që këto të ardhura janë burimi kryesor i jetesës, shoqërohet me një sërë problematikash në lidhje me ekonominë në tërësi.   

Qeveria, në fakt ka nxjerrë për konsultim strategjinë kombëtare për qeverisjen e migracionit dhe planin e veprimit duke parashikuar një seri masash edhe në lidhje me remitancat.

Problematikat që evidenton strategjia lidhen me varësinë e mundshme që krijojnë dërgesat e emigrantëve dhe mund t'i bëjë disa familje gjithnjë e më vulnerabël, pasi një përqindje e konsiderueshme e remitancave përdoret për konsum. Prandaj thekson dokumenti i qeverisë, është thelbësore që të vazhdohet me zgjerimin dhe përmirësimin e kërkimit për mbledhjen e të dhënave për remitancat dhe analizimin e tyre në mënyrë që politikat e reja të orientohen tek transferimi i remitancave dhe përdorimi produktiv/investimi.

Por në një kohë kur sipas Bankës Botërore, gjysma e shqiptarëve jeton me më pak se 5,5 dollarë në ditë dhe Shqipëria renditet e para në rajon si vendi me nivelin më të lartë të varfërisë relative, me diferencë të madhe nga vendet e tjera fqinje dhe me ekonomi të ngjashme, (në Serbi, që është vendi i dytë më i varfër, pjesa e popullsisë që jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë është 22.4 për qind, ndërsa në Malin e Zi shifra është vetëm 4.4 për qind) si mund ti investojnë këto familje paratë e bukës?   

Banka Botërore në raportin më të fundit të saj vëren se, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër i Ballkanit edhe në tre vitet e ardhshme, edhe pse varfëria relative pritet të vijë në rënie.

Në këtë situatë, ndikimi i remitancave tek të ardhurat e familjeve në Shqipëri është i rëndësishëm. Banka Botërore ka vlerësuar gjithashtu, se remitancat përfaqësojnë rreth 13% të buxhetit vjetor të familjeve në Shqipëri dhe një pjesë e konsiderueshme e remitancave është e destinuar për familjet që jetojnë në zonat rurale.

Një shqetësim tjetër i qeverisë në lidhje me remitancat është përdorimi i kanaleve joformale për transferimin e tyre, i cili cilësohet si një faktor që ndikon negativisht për përdorimin produktiv dhe investimin e tyre.

Dokumenti evidenton se në Shqipëri, shumica e remitancave transferohen në mënyrë joformale, ndërsa bankat përdoren shumë pak. Bazuar në analizën e mënyrës së dërgimit të remitancave, 39% e flukseve të remitancave hyjnë në rrugë informale, 57% përmes institucioneve financiare jo bankare dhe vetëm 4% përmes bankave. Por edhe kur vijnë përmes rrugëve zyrtare të dërgimit, tërhiqen me para në dorë, duke nxitur kështu përdorimin e parave kesh në ekonominë shqiptare. Përdorimi i rrugëve jo zyrtare, shpjegohet në dokument, vjen si pasojë e kostove të larta të transaksionit dhe mungesës së njohurive financiare të familjeve.

Kostoja e dërgimit të remitancave në Shqipëri në tremujorin e parë të vitit 2018 është 8.64% e shumës totale të dërguar, duke qëndruar mbi nivelin global (7.13%) dhe mesatares rajonale për Europën dhe Azinë Qendrore (7.55%).

Studimi i tregut të remitancave tregon se bankat nuk përdoren për të dërguar remitancat, pasi procedurat bankare janë të komplikuara dhe mungon llogaria bankare nga individët.
Në dokumentin e qeverisë sugjerohet që kostot e remitancave të reduktohen edhe më tej duke rritur nivelin e edukimit financiar të publikut.

Banka e Shqipërisë ka identifikuar se sistemi bankar ofron shumë pak produkte që lidhen me remitancat, kryesisht transfertat bankare dhe depozitat. Ajo ka rekomanduar që bankat të rifokusojnë vëmendjen e tyre në biznesin e remitancave, sepse: së pari, është me fitim për to për shkak të komisioneve; së dyti, remitancat në valutë të huaj janë një burim të ardhurash për bankat për shkak të kursit të këmbimit; së treti, bankat mund të shesin produkte të tjera që lidhen me remitancat, si emigrantëve ashtu edhe përfituesve të remitancave, p.sh. karta debiti, karta krediti dhe kredi konsumatore.

Gjatë viteve 2008-2017, raporti remitancave me PBB-së në Shqipëri ishte mesatarisht 9.1%.
Derisa Shqipëria karakterizohet nga një pjesëmarrje e ulët e individëve në forcat e punës, ndikimi në nivelin e punësimit e prezencës së tregut informal, papunësia tek moshat e reja, ku edhe pse ka rënie të treguesit në 24,6 për qind, një në katër të rinj të moshës 15 deri 29 vjeç mbetet i papunë, duket shumë e vështirë që shqiptarët “ të edukohen” për ti sjellë paratë në rrugë bankare me qëllim që ti investojnë .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë