Para

Remitancat 1,3 mld euro, pjesa më e madhe transferohet në rrugë informale

Qeveria në nëntor të vitit të kaluar do të shpallte një strategji për të sjellë remitancat në rrugë zyrtare të taksueshme dhe kanalizimin e tyre në investime.

Problematikat që evidentonte strategjia lidheshin me varësinë e mundshme që krijojnë dërgesat e emigrantëve dhe mund t’i bëjë disa familje gjithnjë e më vulnerabël, pasi një përqindje e konsiderueshme e remitancave përdoret për konsum.

Prandaj, sipas qeverisë, do të ishte thelbësore që të vazhdohej me zgjerimin dhe përmirësimin e kërkimit për mbledhjen e të dhënave për remitancat dhe analizimin e tyre në mënyrë që politikat e reja të orientohen tek transferimi i remitancave dhe përdorimi produktiv/investimi.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në lidhje me remitancat tregojnë se gjatë 2018-ës emigrantët shqiptarë kanë sjellë në vend 1,3 mld euro, por ato kanë ardhur në kanale informale, pasi po të dhënat e BSH-së tregojnë se vetëm 40% e popullsisë (15+) disponon llogari bankare (larg mesatares së Eurozonës prej 95%).

Remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare. Numri i emigrantëve jashtë kufijëve të cilët transferojnë para në vendin e tyre familjeve janë rreth 1.19 milionë individë, ndër të cilët në Europë janë 90%. Emigrantët e përhershëm përbëjnë 80% të totalit (shifër kjo mbi mesataren rajonale 2).

Nga 1,3 mld euro ose 9% e totalit të PBB-së nga vendet europiane vijnë 1,099 mld euro.
Më shumë se gjysma e dërguesve i përkasin moshave 30-44 vjeç, 71% e dërguesve janë meshkuj dhe 60% i përkasin emigracionit të përhershëm. Kurse dërgesat nga jashtë përbëjnë 90% të të ardhurave familjare të marrësve, të cilat rreth 1/3 e familjeve i përdorin për shpenzime bazë (ushqime dhe barna), rreth 41% e marrësve i kursejnë një pjesë të dërgesave.
86% e familjeve marrëse i sigurojnë dërgesat nga 1 person i vetëm në emigracion, 32% e këtyre familjeve marrin dërgesa prej mbi 10 vjetësh.

Kanalet e dërgesave sipas të dhënave të BSh-së: 57% dërgohen përmes MTO-ve (dukshëm mbi mesataren rajonale, 40%); 39% dërgohen fizikisht (mesatarja rajonale 23%); një pjesë mjaft e vogël vjen përmes sistemit bankar, 4% (mesatarja e rajonit 7%).

Sipas projektit Greenback në Shqipëri, synonohet promovimin e kanaleve kosto-eficiente për dërgimin e remitancave synon përfshirjen e autoriteteve lokale dhe ofruesve të shërbimeve të transfertave monetare dhe vendosjen e marrëdhënieje të afërt mes individëve emigrantë që dërgojnë të ardhura dhe institucioneve financiare.

Kurse G20 ka vendosur si objektiv uljen e kostos së transferimit të remitancave nën vlerën 3% deri në vitin 2030 dhe eliminimin e korridoreve me kosto mbi 5%.Kostoja aktuale e monitoruar në fillim të vitit 2019 rezultoi 6.9%, krahasuar me 7.5% në vitin 2017. Në Shqipëri, kostoja e dërgesave rezulton 8.9%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë