Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e bërë nga ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, duke lënë në fuqi dënimin me 1 burg ndaj tij për kallëzim të rremë për çështjen “Babalja”.
“Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga të giykuarit Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, kundër vendimit nr.2059/30-2024-6822, datë 26.09.2024, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”, njoftoi Gjykata e Lartë.
Për pasojë mbetet në fuqi dënimi që Gjykata e Tiranës caktoi ndaj ish-ligjvënësit për dosjen “Babale”, ku pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm asokohe, Fatmir Xhafaj, merrej me trafik droge.
Ish-deputeti demokrat kërkoi rrëzimin e dënimit të tij me 1 vit heqje lirie nga Gjykata e Apelit të Tiranës në 27 shtator 2024.
Pastaj, më datë 15 tetor 2024, Gjykata e Lartë refuzoi një kërkesë të ish-deputetit demokrat për pezullimin e dënimit me vit burg nga Apeli.
Salianji tha se nuk ishte fare i habitur nga vendimi i Gjykatës së Lartë. Në një postim në Facebook, ish-deputeti theksoi se ky vendim ishte rruga e shkurtër që zgjodhi gjykata.
“Nuk kanë etikë profesionale dhe as guximin minimal që të japin drejtësi e të hyjnë në konflikt me Edi Ramën. Kjo është një vijë sjellje. Nëse Gjykata e Lartë do të ishte garanci për të drejtën, do të ishte garanci për proces juridik të rregullt e të ligjshëm, as gjykatat më poshtë s’do të guxonin të firmosnin farsat që firmosen”, shkroi Salianji.
Ai shtoi se dënimi i tij bëhet për ta eliminuar nga beteja politike! “Ne çdo përballje e kam mundur Edi Ramën dhe shpurën e tij. Më e fundit në Kavajë në fitoren e bashkisë, e kudo tjetër. Dënimi im politik është kërcënim i hapur për cilindo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien e veshur me pushtet. Dënimi im politik është një mbështetje e hapur ndaj mafies dhe trafikantëve ndërkombëtarë. Koha e zgjedhur për të dhënë vendimin një ditë para shpalljes së listave është po ashtu një mesazh kërcënimi për këdo guxon e flet të vërtetat! Në këto kohë parade turpi, kohë aferash të renda financiare, unë jam me zero korrupsion, zero akuzë për asnjë qindarkë. Ndaj, burgosja për denoncimin, për fjalën, është një medalje. Jam krenar për betejat e mia në interes të njerëzve. Kam zgjedhur që në fillim luftën e pakompromis dhe qytetarët më kanë mbështetur për këtë.Gjykimet ndaj meje do hyjnë në turpet historike, të kauzave gjyqësore si rast i përdorimit të drejtësisë për hakmarrje personale nga Rama e Xhafaj”, shkroi ai.
Salianji ndodhet në burgun e Fierit prej datës 27 shtator 2024. Arrestimi i tij u pasua me një sërë reagimesh politike të krahut të djathtë, të cilët e cilësuan dënimin e tij me burg si vendimmarrje politike. Salianjit i kanë mbetur edhe 6 muaj burg për të kryer në kuadër të dënimit që i caktoi Gjykata e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



