Edhe në ditën e tij më të keqe, asnjë tek Manchester United nuk do të donte të përballej me Mohamed Salah.
Mirëpo egjiptiani është në formën e tij më të mirë dhe ata në “Old Trafford” po ndjejnë drithërima ende pa nisur përballja e rradhës. Kjo pasi rekordi i Salah ndaj United është i niveleve të tilla që në Manchester do të duhet të kalojë kohë për tu asimiluar. “Faraoni” Salah ka shënuar 12 gola dhe ka shërbyer për 6 të tjerë ndaj United, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e Premier League.
Nëse do të shohim lojtarët e Liverpool, asnjë prej atyre aktualë apo në të shkuarën nuk është në gjëndje ti afrohet kontributit për18 gola në këtë përballje. Madje asnjë lojtar tjetër i Liverpool nuk ka shënuar dhe shërbyer për 18 gola ndaj asnjë rivali në Epokën e Premier League.
Rekordi i Salah kundër United është diçka që vetëm 4 lojtarë në Premier League e kanë bërë më mirë ndaj një kundërshtari të vetëm: Harry Kane (22 gola për Tottenham vs Leicester), Wayne Rooney (21 gola për Man Utd vs Newcastle), Frank Lampard (20 gola për Chelsea’n vs Bolton) dhe Thierry Henry (19 gola për Arsenal vs Middlesbrough).
Mirëpo po të konsiderojmë historinë e United mund të biem dakort se rekordi i Salah është vendosur ndaj kundërshtarëve më të mëdhenj dhe më të famshëm, krahasuar me katër futbollistët e mësipërm. Nga ata që aktualisht luajnë për Liverpool në Premier League, vetëm Luis Díaz ka shënuar 4 gola ndaj Man Utd. Ndërsa bashkë me Salah, vetëm dy lojtarë të tjerë kanë shënuar më shumë se 4 gola për Liverpool në përballjet vs United, Steven Gerrard (8) dhe Robbie Fowler (6).
Rekordi i Salah nuk është impresionues vetëm në anën e Liverpool. Ai ka shënuar dy herë më shumë se Shënuesi më i mirë i United në këtë sfidë (Wayne Rooney – 6 gola). Ajo çka e bën më interesant këtë rekord është se egjiptiani nuk shënoi asnjë gol në 4 ndeshjet e para ndaj United në kampionat. E thënë ndryshe, kontributi për 18 gola në Premier League është dhënë në 10 ndeshjet e fundit. Me pak fjalë, në sfidën më të luftuar të futbollit britanik, Salah qëndron mbi të gjithë në Epokën e Premier League.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.