Si një nga klubet më historike dhe më të suksesshme të Portugalisë, në muajin korrik të vitit të shkuar, Benfika formoi edhe ekipin e femrave. Dhe suksesi i këtij ekipi është mbresëlënës. Gjigantët portugezë e kanë filluar me marrshin e fundit kampionatin e tyre të parë, duke marrë 14 fitore në 14 ndeshje. Por deri në këto shifra nuk ka ndonjë sukses të jashtëzakonshëm, pasi edhe në futbollin e meshkujve ka ndodhur që ekipet të marrin kaq shumë fitore rresht. Rekordi që ka arritur Benfika për femra është në numrin e 257 golave të shënuar dhe pa pësuar asnjë deri më tani. Në 14 ndeshje janë po aq fitore për këtë ekip.
Por ky nuk ishte rekordi i vetëm që ka arritur Benfika për femra, pasi në ndeshjen e fundit në kampionat ato kanë fituar 32-0, që është fitorja më e thellë në një ndeshje futbolli në Portugali. Ishte përballja me ekipin e Pego që filloi dhe mbaroi vetëm duke nxjerrë topin nga rrjeta. Raporti në këtë ndeshje është i jashtëzakonshëm, mesatarisht në çdo 1.48 minuta u shënua një gol. Kur ndeshja shkoi me 7-0, të gjithë menduan se vajzat e Benfikës do të relaksioheshin dhe do të administronin ndeshjen, por në fakt ndodhi e kundërta.

Benfika është i vetmi ekip i madh i Portugalisë që para vitit 2018 nuk kishte një ekip femrash, por tashmë me këto rezultate që ka arritur, të gjithë janë të mendimit që do ishte më mirë që mos të ishte formuar. Sipas rregullave të Federatës Portugeze të Futbollit, Benfika për Femra e nisi garimin e saj në grupin D të Ligës së Dytë në futbollin e femrave. Por fillimi nga ligat më të dobëta nuk ishte një problem për këtë ekip, pasi me këto rezultate të arritura nuk besohet që të vonohet shumë ngjitja deri në majën e futbollit të femrave në Portugali, por edhe në Europë. Në përballjen derbi me Sportigun e Lisbonës, Benfika fitoi shumë lehtësisht 10-0, duke masakruar rivalen e qytetit. Skuadra drejtohet nga Zhoao Markez, i cili më herët kishte qenë në strukturën e klubit të Benfikës, duke drejtuar ekipe të moshave. Por Markez njihet në Portugali si një trajner rekordmen në futbollin e femrave. Më herët ai kishte drejtuar edhe ekipin e femrave të Sporting Braga, që u ngjit në Kategorinë Kryesore pa asnjë humbje, por sigurisht jo me këto shifra monstruoze të Benfikës.

Në fakt suksesi i Benfikës ishte mëse i pritshëm, duke parë organikën e ekipit, që u përzgjodh nga vetë trajneri Markez. Bëhet fjalë për lojtare të nivelit më të lartë, të denja për të rivalizuar edhe për titullin kampion në ligën kryesore. “Objektivi ynë është i thjeshtë. Ne duam t’i shikojmë të gjithë ekipet e botës në sy.”- thotë Markez. “Benfika dëshiron që të jetë një forcë europiane edhe në futbollin e femrave. Ky është misioni për të cilin ne po punojmë çdo ditë. Është një rrugë e gjatë dhe një punë shumë e madhe përpara, por sigurisht që ky fillim i mbarë ka për të na ndihmuar shumë.”- shton më tej trajneri Zhoao Markez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




