Italia e Roberto Mançinit është shumë ndryshe, numrat flasin qartë. Skuadra aktuale ia lejon vetes luksin të mbajë të njëjtat koordinata edhe kur ndryshon 8 titullarë në një ndeshje të caktuar.
Kundër Uellsit ishin në fushë vetëm 3 titullarë nga ndeshja e mëparshme, Donaruma, Bonuçi dhe Zhorzhinjo, por manovra e lojës mbeti e njëjtë dhe mbrojtja nuk pësoi sërish gol. Turnover i gjerë, madje trajneri ndryshoi edhe portierin, - siç ndodh në ndeshjen e fundit të kampionatit, kur nuk ka më rreziqe për objektivat, - për t’u treguar të gjithëve forcën e grupit.
Në kompeticionet e shkurtra ndërkombëtare ky është aspekti më i rëndësishëm. E tregon historia e futbollit italian (Spanjë '82 dhe Gjermani '06, për shembull). Pastaj është organizimi i lojës, që ka të bëjë me koncepte bazike për të shfrytëzuar lidhjen natyrale mes lojtarëve. Mançini dhe stafi i tij kanë bërë më shumë, duke punuar me principe që janë evidente, pavarësisht se kush zbret në fushë.
Kundër Uellsit, Mançini e nisi ndeshjen me Bernardeskin në të djathtë dhe Kiezën në të majtë. Dy lojtarë krahu, ku të parit i ngarkoi detyrat që i takojnë Insinjes, me Emersonin që shtynte në linjën anësore, duke i dhënë Kiezës mundësinë të provonte kalimet e tij një kundër një në të djathtë.
Verrati ishte mahnitës në mesfushë, e mbështeti shumë mirë Zhorzhinjon në regji, duke liruar Pesinën për të avancuar më përpara në të djathtë. Manovra është zhvilluar në koncepte të konsoliduara dhe mbrojtja nuk e ndjeu turnover-in, duke bërë që Italia të shkojë në 11 ndeshje pa pësuar gol. Meqë jemi te rekordet, Mançini ka barazuar Vitorio Pocon për numrin e rezultateve pozitive radhazi (30). Të shtunën, në 1/8-at, shpresohet që të thyhet edhe ky rekord që reziston prej 82 vitesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.