Nga Gazeta ‘SI’ – Çmimi i energjisë elektrike në bursën Hungareze ka kapur një tjetër rekord, duke arritur në 709 euro për megavatorë, të premten e 26 gushtit. Ky është çmimi më i lartë ndonjëherë në bursën HUPX, që vendos çmimet për shit-blerjet e elektricitetit në Europë.
Në fillim të javës, një MWh energji shitej me 563 euro dhe po e mbyll atë, 22% më shtrenjtë.
Mbështetur në zhvillimet ndërkombëtare, kjo lidhet drejtpërdrejtë me rritjen e çmimit të gazit natyror, element kyç për prodhimin e elektricitetit. Ndërkohë, në të dhënat e fundit për gazin, ai është shitur me 300 euro për megavatorë. Çmimet u goditën përsëri nga njoftimi se gazsjellësi rus, Gazprom do të bllokojë furnizimin e Europës për tre ditë, sepse ka një “defekt”.
Europa po përballet me një krizë energjitike të të gjitha llojeve, përfshirë gazin, naftën, elektricitetin dhe tentativat për të zhvilluar sa më shpejt alternativat e gjelbërta të energjisë, përballë qëllimit për të ruajtur mjedisin, ndryshimeve klimatike dhe thatësirës në burimet hidirike të rajonit.
Kosova është vendi i parë në kontinent që vendosi të fikë përkohësisht dritat, për shkak të prodhimit të pamjaftueshëm të elektricitetit në vend dhe për kostove të larat për import.
Në Shqipëri, shtatori pritet të sjellë vendimet e reja mbi menaxhimin e krizës energjitike, ndërkohë që po konsiderohet vendosja e një fashe konsumi deri në 800 MWh, siç pati lajmëruar ministrja e Energjisë, Belinda Balluku. Në Shqipëri, po ndërtohen paralelisht parqe fotovoltaike dhe eolike, për energjinë, si edhe një termocentral gazi natyror në qytetin e Vlorës.
Ndërkohë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, hapi dhe anuloi brenda pak orësh tenderin për blerjen e 20.000 MWh energji elektrike, për datat 27-28 gusht.
Sipas përllogaritjeve, një familje në Britaninë e Madhe, gjatë muajve të ardhshëm mund të paguajë deri në 3.500 paund faturë elektriciteti.
Franca po blen energji me 900 deri në 1.000 euro/MWh dhe Gjermania me pothuajse 800 euro. Kjo e fundit po e ndjen më së shumti krizën dhe koston energjitike të rajonit, duke qenë e varur nga furnizimi rus, që është reduktuar deri në 20% dhe ka gjasa të reduktohet më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




