Prej së dielës së shkuar, kur Shqipëria arriti atë fitore të madhe ndaj Polonisë, që na afron edhe më tepër me objektivin e kualifikimit në finalet e Europianit “Gjermani 2024”, kryefjala e çdo bisede në Tiranë dhe jo vetëm, është Kombëtarja dhe biletat për sfidën e radhës.
Një padurim i shumë njerëzve që mungonte prej kohësh, ose më saktë një kërkesë të tillë për biletat e ndeshjes së 12 tetorit ndaj Çekisë në kryeqytet, nuk është parë dhe dëgjuar asnjëherë më parë.
Madje, pas kualifikimit të parë historik në finalet e Europianit të 2016-s, kujtojmë që Shqipëria pas fitores në Armeni që zyrtarioi kualifikimin, zhvilloi pak ditë më pas një ndeshje miqësore në kryeqytet ndaj Gjeorgjisë, asokohe në stadiumin “Qemal Stafa”, i cili me një kapacitet rreth 16.000 vendësh, kishte vetëm vetëm 4.000 bileta të shitura.
Sot jemi 6 pikë larg zyrtarizimit, teorikisht për kualifikimin në finalet e “Gjermani 2024” edhe 3 ndeshje nga fundi i fazës së grupeve. Për ndeshjen e radhës në faqen online, ku pritet të dalin biletat, ka mesatarisht 4.000 persona në pritje, kur në shitje do të dalin vetëm biletat për pjesën karshi dhe prapa porte, ndërkohë që tribuna e gjitha është e prenotuar, me çmimet që variojnë nga Kategoria Platiunum 50 mijë lekë, gold 40 mijë dhe duke u larguar nga qendra e fushës edhe dy kategori të tjera me nga 30 mijë dhe 20 mijë.
Ndërkohë për shitje do të jetë vetëm tribuna e quajtur karshi që në qendër fillon çmimi i biletave me 8.000 lekë, 6.000 lekë dhe 3.000 lekë pjesa prapa porte.
Edhe pse çmimet kanë ndryshuar, fluksi i njerëzve që vizitojnë faqen e shitjes së biletave për 24 orë shkon në rreth 400.000 vizitorë, kjo ka bërë që për momentin serveri të mos funksionojë dhe të shtyhet edhe për disa orë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.